
Bardhi u thirr më herë për të shkuar në SPAK gjatë ditës së nesërme për të dhënë sqarime, por seanca e nesërme është shtyrë...
Prokuroria e Posaçme ka thirrur kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për të dhënë dëshmi për dosjen Xibraka.
SPAK pak ditë më parë njoftoi se ka rihapur hetimet për dosjen e pezulluar dhe Bardhi si person që ka dijeni është thirrur të japë sqarime në datën 24 maj.
Bardhi u thirr më herë për të shkuar në SPAK gjatë ditës së nesërme për të dhënë sqarime, por seanca e nesërme është shtyrë për shkak të një vizite të Bardhit në Bundestagun gjerman.
“Në vijim të kërkesës së Kreut të Grupit të PD Gazment Bardhi për pamundësinë për tu paraqitur nesër në SPAK, për shkak të një vizite zyrtare në Bundestag, ju informoj se z. Bardhi do të paraqitet më datë 24.05.2024, ditën e premte, ora 10:00, me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr. 88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr. 335/1 (dojsa “Xibraka”), të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda, Tiranë”, thuhet në shkresën e SPAK.
Kur u zbulua laboratori i Xibrakës, Krimet e Rënda e ndanë dosjen në dy pjesë. Nga hetimet rezultoi se ishte një person i paidentifikuar, i cili kishte lëvizur me një automjet që ishte përdorur nga trafikantët. Vetë Bardhi nxori të dhënat e TIMS se ai person ishte Olsi Rama. Prokuroria i bllokoi hetimet dhe nuk u zbulua asgjë.
Si duket SPAK do të verifikojë se përse hetimet u ndërprenë dhe nëse ata duan ta zbardhin skandalin, mjafton t’i drejtohen policisë gjermane. Ishin ata që e zbuluan laboratorin dhe ata kanë përgjime dhe foto.
Ndërkohë ka pasur akuza se dosja është gjymtuar. Sipas avokatit Arben Llangozi janë hequr fashikujt që përmendin Olsi Ramën.
“Në momentin që zoti Bardhi ka bërë kallëzimin penal, janë urdhëruar porkurorët që të marrin dosjen. Ata janë skandalizuar nga ajo që kanë parë. Kanë konstatuar se dosja hetimore, tashmë e pezulluar, ka fshikuj të zhdukur. Pra është zhdukur dosja hetimore në ngarkim të zotit Olsi Rama. Por kush ka qenë autori dhe përfituesi i zhdukjes së kësaj dosje hetimore? Nga fashikujt janë zhdukur raportet e vëzhgimit dhe fotot e personave që kanë qenë të dyshuar dhe për të cilët nuk është bërë identifikimi. Për këtë arsye mbetet për t’u parë në vijim se çfarë do të ndodhë”, shprehej avokati pak kohë më parë.
Mbetet tani të shohim se çfarë do të bëjë SPAK, do guxojë të shkojë te vëllai i kryeministrit apo bëhet sa për të larë gojën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje