
Deputeti Luan Baçi ka pohuar sërish njohjen me Azgan Mërnicën, autori që vrau policin Novruz Cenalia në Fier, por edhe me fisin e tij.
Ndërkohë, nga ana tjetër Luan Baçi mohoi lajmet se ka qenë pjesë e Strukturës së Armatosur të Partisë Demokratike për Mbrojtjen e Votës në vitin 2021.
“Nuk e mohoj që e njoh fisin dhe familjen Mërnica. Janë familje e nderuar, janë demokratë nuk e mohoj. Sa për atë që kanë shkruar se ka qenë pjesë e ekipit të strukturuar për votën, fotoja ime aty është në fshatin Sulaj, aty ku banon i riu, aty kanë qenë të gjithë ata të rinj që donin një foto me mua dhe donin që t’u përmendej dhe emri", tha Baçi për Report TV.
Deputeti demokrat nuk pendohet fare për foton e realizuar me Azgan Mërnicën, shoqëruar me disa të rinj të tjerë më 3 prill të vitit 2021, ndërsa ka shpjeguar dhe se ku është realizuar.
“Është për t'u pasur zili media që e ka gjetur. Nuk jam fare pishman për atë foto që kam bërë. Rastësia dhe fati i keq i këtij të riu bëri që të ketë një fund tragjik për një të ri tjetër në punonjës policie. Nuk dua të komentoj fare se nga ka dalë foto, s’do kisha kontestim edhe nëse i nxjerr media. Atë detyrë kanë”, theksoi Baçi.
Gënjeshtër, Baçi ka quajtur lajmin se vrasësi i efektivit të policisë ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha protestat e dhunshme të Rithemelimit para Bashkisë së Tiranës.
Madje ai ka kërkuar që këto akuza të pabaza të vërtetohen duke publikuar foto.
“Lidhja që i bëjnë pastaj dhe aq më tepër kur lexova se ka qenë pjesëmarrës në protestat e dhunshme të PD kjo është një gënjeshtër. Po të ketë qenë e sigurt që do më fliste mua. Ata që e thonë ta nxjerrin një foto e ta vërtetojnë se ka qenë. Jo ta shfrytëzojnë e të thonë se PD paska kontigjentë në partinë e saj”, shtoi deputeti demokrat.
Lini një Përgjigje