
Analisti Ergys Mërtiri tha se Kryeministri Edi Rama ka kohë që po i vërtitet SPAK-ut dhe po synon ta pengojë. Por sipas Mërtirit kjo gjë është e pamundur.
Mërtiri theksoi se Rama e ka të pamundur të bllokojë punën e SPAK.
“Nëse do e sulmonte SPAK, kjo do e nxirrte Ramën keq. Por ai do të tentojë të gjejë mekanizma për të penguar SPAK. Një prej këtyre mekanizmave është për shembull heqja e veprës shpërdorim detyre që të hetohet nga SPAK, por nuk besoj se do ia arrijë. Nëse nuk do të kishim faktorin ndërkombëtar, SPAK-u do i ishte vënë dryni me kohë. SPAK është një vullnet shumë më i madh se Edi Rama, ndaj dhe e ka të pamundur ta bllokojë”, deklaroi Mërtiri për News 24.
Ergys Mërtiri e cilësoi rezolutën antikorrupsion si një falsitet, ndërsa shtoi se opozita duhet të merrte hapa konkretë dhe jo thjesht fjalë për të penguar këtë nismë.
“Ajo çfarë po bën Edi Rama është të prodhojë falsitet, e tillë është edhe rezoluta antikorrupsion. Rama bën korrupsion, por nuk mund të bëjë luftën. Unë mendoj se një opozitë duhej të ishte më aktive, pasi nuk mjafton të thuhet se e ka false këtë nismë. Opozita nuk duhet të sulmojë Qeverinë vetëm me deklarata, por kam frikë se kjo opozitë është kapur në komplekset e veta. Opozita duhet të ndërmarrë nisma, të propozojë nisma në komisionet ku bën pjesë, në mënyrë që ta vërë Kryeministrin me shpatulla pas murit”, theksoi Mërtiri.
Takimet e Edi Ramës në Athinë dhe në Milano, Mërtiri i konsideron propagandistike, por që i japin pikë vetë kryeministrit.
“Po krijon alibi, po legjitimon veten, po stis një duel me grekët, prodhon një betejë shqiptaro-greke, dhe më pas na thotë se po i jep Qeverisë dinjitet. Edhe Berisha që ka qenë një qeveritar i keq, ka pasur përplasje me grekët, por kjo s’do të thotë se janë gjëra të mira”, tha Mërtiri.
Lini një Përgjigje