
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për pasojat e përmbytjeve që ndodhën këtë të diel, pas reshjeve të dendura të shiut.
Ministria njofton se strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, qarku më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë është Shkodra, ku ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Forcave të Armatosura (FA) kanë qenë në terren që prej mëngjesit.
Në bashkinë e Vaut të Dejës, situata po shkon drejt normalizimit, ndërsa niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa uji është tërhequr plotësisht. Për të shmangur rrezikun e përmbytjeve, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës së përroit dhe ngritjen e një argjinature mbrojtëse.
Ndërkohë, ndërhyrje janë duke u kryer në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi, ku po pastrohen inertet dhe gurët e rënë në akse rrugore për të garantuar qarkullim normal të mjeteve.
Ndërsa në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e reshjeve të shiut.
Ministria thekson se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore të emergjencave civile po vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme.

Lini një Përgjigje