
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka reaguar pas situatës së krijuar nga moti i keq që përfshiu qytetin dhe rrethinat e tij që nga orët e para të mëngjesit.
Beci ka njoftuar se falë ndërhyrjes së strukturave bashkiake dhe Emergjencave Civile, situata është nën kontroll dhe e stabilizuar.
Reshjet e dendura të shiut kishin shkaktuar bllokime në zonat e Bërdicës dhe Gurin e Zi, por ekipet e terrenit ndërhynë menjëherë për të zhbllokuar rrugët dhe për të menaxhuar prurjet e ujit.
“Menjëherë pas njoftimit, strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, IMT dhe Policia Bashkiake kanë qenë në terren për të zgjidhur problematikat e shkaktuara nga reshjet. Në ndërhyrje janë angazhuar 35 punonjës të shërbimeve publike, 18 efektivë të Policisë Bashkiake, si dhe stafet e Ujësjellësit dhe Emergjencave Civile”, shkruan Beci në Facebook.
Ai shtoi se situata është përmirësuar ndjeshëm dhe vijon të monitorohet nga afër për të parandaluar çdo problem të mundshëm.
Lini një Përgjigje