Kryebashkiaku i Vajut të Dejës, tha për mediat se situata është e rëndë dhe se përmbytjet kanë filluar në të gjitha njësitë administrative.Sipas tij, nga dalja e përroit të Glinës nga shtrati ka shkaktuar përmbytje, si edhe dëme të mëdha në bagëti e shpendë.
Reshje të shiut me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjitha bashkitë e Qarkut Shkodër, duke shkaktuar probleme në disa zona. Sipas Prefektit të Qarkut, situata më problematike paraqitet në bashkinë e Vaut të Dejës ku raportohen përmbytje banesash në njësitë administrative Bushat, Vau Dejës dhe Hajmel.
Në Bashkinë Vau Dejës deri tani raportohet se janë përmbytur 100 banesa.
Përroi i Glinës ka bllokuar unazën e Vau të Dejës dhe po përparon me shpejtësi duke krijuar një situatë të vështirë.
Gjithashtu problematika raportohen edhe tek Harku i Bërdicës, në afërsi të rrugës kryesore Shkodër-Tiranë.
Kryebashkiaku Kristian Shkreli, i cili ka zbritur në terren për të inspektuar situatën nga afër, thotë se bëhet fjalë për të paktën 100 banesa që tashmë janë nën ujë.
“Situata është mjaft e rëndë. Përmbytjet kanë filluar në të gjithë njësitë administrative. Përroi i glinës ka dalë nga shtrati dhe po bën përmbytje në të gjithë qytetin e Vaut të Dejës. 100 shtëpi kanë prezencë uji. dëmet janë shumë të mëdha në bagëti, shpendë dhe kosheret e bletëve, por shpresojmë mos të rrezikojmë jetën e njerëzve se situata është shumë e rëndë”, tha Shkreli.
Problemi më i madh sipas tij paraqitet nga përroi i Glinës, ndërkohë që apeloi se nevojiten kosha me gurë, prita malore dhe asfaltim të rrugëve.
“I gjithë stafi i bashkisë së Vaut të Dejës është në terren e përkrah njerëzve dhe besoj që çdo gjë do shkojë mirë në evakuim, por shpresoj të mos kemi evakuim.
Përroi i glinës ka 5 vite që aplikojmë dhe nuk e kemi fituar. Nuk di arsyen përse, por shumë problem i madh se me fondet e bashkisë është i pamundur realizimi i këtij projekti.
Kemi nevojë për kosha me gurë, prita malore e asfaltim të rrugëve për të forcuar si tip dige për të mos e lëmë që të thyhet se po ta shohim ka thyer rrugën dhe ka hyrë në banesa uji.", tha kryebashkiaku.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, Ashtë, Kosmaç dhe Barbullush janë pa energji elektrike. Ekipet janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji.
Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar rënie gurësh dhe inertesh në rrugët rurale, si dhe prezencë uji në disa akse rrugore.

Ndërkohë, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë njofton se, pavarësisht reshjeve shumë intensive prej rreth 150 mm në 24 orët e fundit, nuk janë konstatuar probleme në kanalet e kullimit, argjinaturat mbrojtëse apo në digën e rezervuarit Shkodër.
Në njësinë administrative Gur i Zi (qendër) po merren masa për pastrimin e urës dhe përroit që ka shkaktuar problematika, si edhe janë vënë në dispozicion mjete shtesë për ndërhyrje.
"Gjatë gjithë natës Shkodra është përfshirë nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar disa problematika në njësitë administrative Bërdicë dhe Gur i Zi.
Në terren janë angazhuar 3 mjete në zonën e Gurit të Zi dhe 2 mjete në Bërdicë, ndërsa ekipet e Bashkisë Shkodër po punojnë pa ndërprerje për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit shumë shpejt", njofton kryebaskkiaku Benet Beci.
Lini një Përgjigje