
Një “përplasje” e pazakontë po zhvillohet në heshtje mes Tiranës dhe Dakës. Një ish-oficer i lartë i policisë së Bangladeshit, Sohel Rana, ndodhet prej disa muajsh në një nga burgjet shqiptare, ndërsa kërkon azil politik për të shmangur ekstradimin drejt vendit të tij.
Rana, njëkohësisht biznesmen dhe ish-inspektor policie në kryeqytetin Daka, është një nga personat më të kërkuar në Bangladesh për një mashtrim gjigant financiar të lidhur me kompaninë online E-Orange, një platformë tregtare që u zhduk nga tregu duke lënë pas dhjetëra mijëra qytetarë të dëmtuar dhe një humbje të vlerësuar në mbi 93 milionë euro.
Sipas mediave bangladeshe, përfshirë të përditshmen Prothom Alo, policia e Dakës ka dërguar disa kërkesa zyrtare për ekstradimin e tij në Shqipëri, por autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjë përgjigje. Zyrtarë të policisë së Bangladeshit konfirmojnë se janë në pritje të një vendimi nga drejtësia shqiptare, ndërkohë që Ranas i është njohur statusi i paraburgimit për arsye sigurie.
Sohel Rana, i cili pretendon se është i afërm i ish-kryeministres Sheikh Hasina, e lidh çështjen e tij me motive politike. Ai thotë se në Bangladesh është objekt i një “gjuetie politike” dhe se kthimi në atdhe do ta vënte përballë rrezikut të dënimit me vdekje. Në kërkesën për azil të dorëzuar në gjykatat shqiptare, ai deklaron se ndaj tij janë ngritur akuza të rreme, përfshirë edhe një çështje për vrasje.
Avokati i tij në Tiranë thekson se, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria nuk mund të ekstradojë një person në një vend ku ekziston mundësia e dënimit kapital. Ky argument ligjor pritet të bëhet qendror në vendimin e drejtësisë shqiptare.
Sipas të dhënave zyrtare, Sohel Rana është nën hetim në nëntë çështje penale në Daka, për përvetësim fondesh, mashtrim dhe pastrim parash. Ai është subjekt i një njoftimi të kuq të Interpolit, lëshuar në vitin 2022. Pas shpërthimit të skandalit financiar, Rana u arratis në Indi, ku u arrestua në kufi teksa përpiqej të kalonte në Nepal. Pasi u dënua për hyrje të paligjshme dhe u lirua për arsye shëndetësore, ai u zhduk, duke u gjurmuar më pas në Portugali dhe përfundimisht në Shqipëri, ku u arrestua më 1 shkurt 2025 në aeroportin “Nënë Tereza”.
Nga ana tjetër, policia e Bangladeshit mohon kategorikisht ekzistencën e një kallëzimi për vrasje ndaj tij, duke e cilësuar pretendimin si përpjekje për të shmangur drejtësinë. Hetuesit bangladeshas kanë kërkuar tashmë nga Interpoli rinovimin e urdhërarrestit ndërkombëtar, me synim që Rana të ekstradohet dhe të përballet me gjykatat e Dakës për mashtrimin që ka prekur mijëra qytetarë.
Lini një Përgjigje