
Kushte të paqëndrueshme në të gjithë vendin; reshje më intensive në disa qarqe dhe dëborë në zonat malore mbi 900–1200 metra
Vendi pritet të përballet me kushte atmosferike të paqëndrueshme gjatë ditës së hënë, të shoqëruara me reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit dhe ulje temperaturash. Në zonat malore parashikohen edhe reshje dëbore.
Sipas parashikimeve nga IGJEO dhe SHMU, reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të mëngjesit, fillimisht me intensitet të ulët në Ultësirën Perëndimore. Gjatë orëve të mesditës dhe në vijim, reshjet pritet të përfshijnë pothuajse të gjithë territorin, duke u shfaqur herë pas here edhe në formën e shtrëngatave afatshkurtra, kryesisht në zonat malore.
Reshje më të dukshme, me intensitet të dobët deri mesatar dhe të shoqëruara me shtrëngata, priten në qarqet Dibër, Tiranë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Ndërkohë, në qarqet e tjera reshjet parashikohen të jenë kryesisht të dobëta.

Në orët e mbrëmjes, reshjet pritet të humbasin intensitetin, duke mbetur të dobëta kryesisht në jug të vendit dhe lokalisht në zonat verilindore malore.
Në zonat malore të veriut, lindjes dhe juglindjes, në lartësitë mbi 900 deri në 1200 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të shfaqen në formë dëbore, por me intensitet të ulët.
Sa i përket temperaturave, për ditën e hënë ato pritet të shënojnë vlera relativisht të ulëta:
Në bregdet: nga 8 deri në 15 gradë Celsius
Në zonat e ulëta: nga 6 deri në 15 gradë Celsius
Në zonat malore: nga 0 deri në 11 gradë Celsius

Lini një Përgjigje