TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Mars 2026, 16:54

Referendumi në Itali, gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë mesazh Ramës: Pavarësia e drejtësisë nuk vihet në diskutim

Shkruar nga Pamfleti

 

Referendumi në Itali, gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë
Rama dhe drejtësia

 

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar në mënyrë të përbashkët pas referendumit të zhvilluar në Itali për ndryshimet kushtetuese në sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar rolin e magjistraturës italiane dhe duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së sistemit.

Në deklaratën e tyre, dy shoqatat shprehin vlerësim për Shoqatën Kombëtare të Magjistratëve të Italisë, e cila sipas tyre kontribuoi në nxitjen e një debati të hapur dhe të përgjegjshëm për mbrojtjen e parimeve kushtetuese. Ata theksojnë se ky angazhim dëshmon një sistem drejtësie aktiv dhe të ndërgjegjshëm për rolin e tij në një shoqëri demokratike.

Referendumi në Itali u mbyll me votën “Jo” në masën 58,5%, ndërsa pjesëmarrja arriti në 58,9%. Sipas shoqatave, ky rezultat përbën një mbështetje të qartë për pavarësinë e drejtësisë dhe për rolin garantues të saj në funksionimin e shtetit të së drejtës.

Në reagim vihet në dukje se magjistratura italiane ka treguar ndër vite qëndrueshmëri dhe pjekuri përballë sfidave, duke e merituar pavarësinë që gëzon, ndërsa angazhimi i saj publik ka forcuar lidhjen me qytetarët dhe besimin tek institucionet.

Pa e përmendur drejtpërdrejt, mesazhi i shoqatave lexohet edhe si një apel për kontekstin shqiptar, në një kohë kur marrëdhëniet mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë kanë qenë shpesh të tensionuara. Deklarata vjen ndërsa kryeministri Edi Rama ka artikuluar kritika të forta ndaj sistemit të drejtësisë dhe së fundmi janë dhënë sinjale për mundësinë e nismave të ngjashme me referendum edhe në Shqipëri.

Shoqatat theksojnë se sistemi i drejtësisë përbën “oksigjenin e lirive themelore të qytetarëve” dhe se pavarësia e tij mbetet gur themeli i çdo demokracie funksionale. Në këtë kuadër, ato nënvizojnë se edhe në Shqipëri mbetet detyrë e institucioneve dhe e çdo magjistrati për të rritur besimin e publikut, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese.

Në përfundim, shoqatat shprehen të angazhuara për forcimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve, duke theksuar se përvojat ndërkombëtare, si rasti i Italisë, mbeten referencë për zhvillimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikas.

 

rama drejtesia

Lini një Përgjigje