
Analisti Poli Hoxha ka deklaruar se kemi një unifikim të klasës së vjetër politike kundër drejtësisë së re.
Teksa komentoi deklaratën e ambasadës së SHBA kundër Ilir Metës, Poli Hoxha tha se deklarata ‘përqafon’ mbështetjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe shqetësimet që ngrinte për sulmet më të fundit ndaj SPAK.
"Faktikisht deklarata e ambasadës amerikane i referohet një deklarate të djeshme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dmth që mbështeste mbështetjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe shqetësimet që ngrinte për sulmet e fundit”, theksoi analisti.
Më tej, Poli Hoxha u shpreh se këto tre ditë, sipas tij ka qenë vetë Meta që ka sulmuar me një gjuhë jo të hijshme ndaj Altin Dumanit, kreut të SPAK, gjithashtu dhe ndaj këtij institucioni.
“Këto dy tre ditë ka qenë zoti Meta që ka bërë batërdi nëse flasim me zhargon, sulmesh kundër Dumanit dhe SPAK-ut", tha ai.
Sakaq, analisti Poli Hoxha për Ora News tha se nuk është vetëm Ilir Meta ai, i cili është kundër drejtësisë së re dhe sipas tij, ambasadat janë kujdesur që të mos përmendin emra në veçanti.
“Por ata (ambasadat) janë kujdesur që të mos zënë emra në gojë për t’i dhënë një përgjegjësi sepse nuk është vetëm Meta por përgjithësisht kemi një unifikim të klasës së vjetër politike që ka konsumuar pushtet dhe natyrisht edhe korrupsion, e cila është bërë bashkë kundër drejtësisë së re. Sa më shumë ecën përpara, aq më shumë bëhen bashkë. Këtu nuk lë mënjanë as Ramën, sepse dihet Meta e Berisha. Në këtë kuptim duket se po vlon gjithë ky grupim politik kundër SPAK-ut në mënyrë të veçantë dhe po kthehet në shqetësim edhe për perëndimorët”, u shpreh Poli Hoxha.
Lini një Përgjigje