TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Prill 2025, 08:14

Qeveria e re në Serbi, deputeti shqiptar letër Vuçiç: Nuk marr pjesë në negociata! 

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria e re në Serbi, deputeti shqiptar letër Vuçiç:

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka dërguar një letër Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku e njofton atë se nuk do të marrë pjesë në negociatat për themelimin e qeverisë së re.

Kamberi ka theksuar se nuk sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, duke u kufizuar vetëm në përmbushjen e formës, kurse shqiptarët, sipas tij, mbeten një pakicë skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror të Serbisë në 13 vitet e fundit.

“Njëkohësisht, kam informuar Presidentin se përkundër përpjekjeve politike dhe institucionale të shumta, asnjë qeveri e drejtuar nga ju dhe subjekti politik që keni udhëhequr, nuk ka konsideruar të arsyeshme të bashkëpunojë me përfaqësuesit shqiptarë për realizimin e kërkesave tona legjitime”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu angazhimin e tij për vazhdimin e betejës politike për të realizuar kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke shtuar se do të vazhdojë të punojë për këtë qëllim, por nuk do të bëhet pjesë e një procesi që, sipas tij, nuk ofron mundësi për ndryshim të vërtetë.

Letra e plotë

Z. President,

Në emër të Listës zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, e cila ka një deputet përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ju njoftoj se për herë të parë në historikun e përfaqësimit tonë parlamentar, nuk do të marrim pjesë në konsultat e planifikuara për formimin e qeverisë së re.

Deputetët shqiptarë ndër vite kanë marrë pjesë në konsulta, të cilat, sipas legjislacionit vendor, mbahen nga presidenti i shtetit, me të gjitha listat parlamentare që sigurojnë mandate përfaqësimi në Kuvendin e Serbisë.

Sikurse në vitin 2012, edhe në vitet 2014, 2016, 2020, 2022 dhe 2024, deputeti ose deputetët shqiptarë i kanë paraqitur presidentëve të shtetit, në formë të shkruar, kërkesat legjitime të popullatës shqiptare, si nevojë për përmirësimin dhe avancimin e pozitës shqiptare në Republikën e Serbisë.

Që nga viti 2014, kërkesat e shqiptarëve janë kryesisht të bazuara në dokumentin e njohur si “Plani shtatë pikësh”, të cilin e kishin përpiluar të gjitha subjektet politike shqiptare.

Po atë platformë politike, e cila është konsideruar si e drejtë dhe e përpiluar sipas legjislacionit vendor dhe standardeve evropiane, e ka aprovuar edhe Qeveria e Serbisë në vitin 2013.

Që nga ajo kohë e deri më sot, përtej përpjekjeve tona politike dhe institucionale, asnjë qeveri e drejtuar nga Ju dhe subjekti politik që keni udhëhequr për kaq shumë vite, nuk ka parë të arsyeshme të bashkëpunojë me përfaqësuesit shqiptarë për realizimin e kërkesave tona legjitime.

a. Pasivizimi i shqiptarëve vazhdon edhe sot;

b. Mosnjohja e diplomave të studentëve tanë që kanë përfunduar studimet në Universitetet e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë arsyeja kryesore e ikjes masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës;

c. Dyert e institucioneve publike vazhdojnë të mbeten të mbyllura për shqiptarët dhe punësimi i tyre në këto institucione është ende i pamundur;

d. Gjuha e urrejtjes (edhe pse keni premtuar personalisht se do të angazhoheshit për parandalimin e saj) vazhdon të mbetet pjesë e komunikimit të përditshëm të përfaqësuesve të lartë shtetërorë me shqiptarët;

e. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja vazhdojnë të mbeten komunat më të pazhvilluara në Serbi;

f. Mjekët që punuan gjatë pandemisë COVID-19 në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, përkundër udhëzimit të Qeverisë që ata duhet të punësohen me vendim të përhershëm, vazhdojnë të mbeten të papunë;

g. Po ashtu, kuadrot e specializuara shqiptare në polici kanë mbetur gjithashtu të papunë;

h. Për më shumë, për vite të tëra asnjë polic shqiptar nuk është punësuar në policinë lokale të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Pasi mora parasysh të gjitha këto çështje dhe jam i bindur për mungesën e thellë të vullnetit politik në Beograd për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, dhe që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të barabartë të këtij shteti, Ju njoftoj se nuk do të marrim pjesë në konsultat e parapara për krijimin e qeverisë së re.

Kriza aktuale politike në Serbi kërkon një qasje të re, pa presione ndaj atyre që mendojnë ndryshe, me lirinë e plotë të medias dhe me respektimin e pakusht të të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare.

Mbetem i përkushtuar për vazhdimin e betejës sonë politike dhe i hapur për të biseduar dhe bashkëpunuar me çdo palë që, në mënyrë serioze, sinqertë dhe pa kalkulime, në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian, ka gatishmërinë për të filluar realizimin e kërkesave tona legjitime.

Deri atëherë, nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, që vetëm sa përmbush formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror në 13 vitet e fundit.

Lini një Përgjigje