TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Dhjetor 2023, 12:54

Qendra tregtare në flakë prej 10 orësh, inxhinieri i ndërtimit tregon shkakun: S’ka funksionuar sistemi kundër fikjes së zjarrit

Shkruar nga Pamfleti

Qendra tregtare në flakë prej 10 orësh, inxhinieri i

Zjarrfikësit luftuan ditën e djeshme 10 orë me flaktë që përfshinë qendrën tregtare ‘Metropol’ në Lushnjë. Mungesa e autoshkallës e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit hodhën ujë nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar.

Kreu i sindikatës së zjarrfikësve, Bledar Bajrami tha në Report Tv se zjarri kishte fuqi të madhe dhe nuk përballohej, ndërsa vështirësitë kanë qenë edhe fakti që zjarrfikësit nuk kishin mjetet e duhura, siç ishte mungesa e autoshkallës që u dërgua rreth 8 orë me vonesë. Po ashtu, zjarrfikësi Bajrami ngriti edhe shqetësimin e hapësirës dhe rrugëve të ngushta që vështirësojnë po ashtu punën e zjarrfikësve.

Bajrami thotë se Lushnja ka nevojë për 40 zjarrfikës, por aktualisht ka vetëm 18.

“Zjarri vetë kishte fuqi shumë të madhe, nuk përballohej as me ujë as me shkumë. Momenti parë që duhet luftuar, që do një trupë të fuqishme për të luftuar, ata s’kanë pas as mjete, as rrugë për të kaluar. Kanë faj edhe vetë qytetarët, nuk mund ta bllokojnë rrugën e zjarrfikëses”, tha Bajrami.

Një tjetër problematikë e madhe janë edhe sistemet e fikjes së zjarrit, për të cilat ekspertët në studio thanë se në shumicën e rasteve mungojnë. Inxhinieri i ndërtimit, Gëzim Beqaj thotë se në rastin konkret sistemi i fikjes së zjarrit nuk ka funksionuar. Ai shpjegon se vatra e zjarrit ka qenë brenda dhe fasada nuk është bërë shkak për përhapjen e flakëve. Ai thekson se nëse qendra do kishte pasur një sistem funksional kundër fikjes së zjarrit, vatra do ishte izoluar dhe nuk do kishte marrë përhapje kaq të madhe.

“Janë edhe pajisjet që janë në mungesë. Nëse do ishte bllokuar në fillim, s’do kishte këto përmasa, nëse do kishte pas forca do ishte bllokuar që në fillim, ujë, hidrantë”, tha Bajrami.

“Në rastin konkret nuk besoj se ngelet tek materialet e ndërtimit, zjarri ka rënë brenda. Mendoj se mund të jetë problem i masave të mbrojtjes kundër zjarrit që nuk kanë funksionuar. Sistemi kundërzjarrit është detyrues dhe të jetë funksional, dhe në mënyrë automatike bën fikjen e zjarrit dhe sinjalizimin e tij. Mesa duket këtu nuk ka funksionuar. Vatra ka qenë nga brenda, po të kishte qenë një sistem efikas, duhej të kishte ndërhyrë për fikjen e zjarrit. Sistemet testohen, nëse janë funksional, i jepet leja e shfrytëzimit. Ky sistem nuk ka funksionuar. 1 herë në 6 muaj duhet të testohet funksionon apo jo. Më pas zjarri lokalizohet nga ky sistem”, tha inxhinieri i ndërtimit Beqaj.

Zjarri mendohet se ka rënë në një dyqan këpucësh në katin e tretë nga ndonjë shkëndijë elektrike apo diçka e harruar ndezur por pritet ekspertiza të verifikojë saktë shkakun.

Lini një Përgjigje