TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Dhjetor 2023, 10:38

“Ishte një katastrofë”, tregtarët përloten nga zjarri në Lushnjë: Nuk mund ta përshkruaj, njerëzit vetëm bërtisnin

Shkruar nga Pamfleti

“Ishte një katastrofë”, tregtarët përloten nga

Një ditë pas zjarrit masiv në qendrën tregtare në Lushnjë, tregtarët të dëshpëruar, tregojnë ngjarjen dhe përjetimet e tyre.

“Kam një njësi tregtare. Jam në katin e parë, i cili nuk u përfshi, ishte një kat më lart zjarri. Zjarri agravoi dhe u bë aq sa ishte e mundur nga forcat zjarrfikëse”, tha një nga tregtarët.

E keni të siguruar mallin?

“Jo, nuk gjej fjalë ta përshkruar, ushqehen 500 familje në këtë qendër, është dëm katastrofik. Nuk isha i pranishëm në ngjarje, zjarrfikësit me ato mjete që kishin, që nuk ishin të përshtatshme as për lartësinë e objektit, nuk mund të themi asgjë”, shprehet tregtari.

Një tjetër u shpreh se zjarri ka shkaktuar 50 milion lekë dëme në biznesin e tij.

“50 milion lekë dëme, nuk ka ngelur asgjë. Kur ra zjarri ishte një periudhë kohe që nuk kishte shumë njerëz për momentin”, tha ai.

Një qytetare, me lot në sy e quan ngjarjen një katastrofë të madhe, pasi dëmet në biznesin e saj janë të mëdha.

“Jemi te kati i nëndheshëm dhe nuk dimë asgjë. Kur ra zjarri nuk ishim aty”, tregon ajo.

Si e përjetuat?

“Shumë keq, vazhdojmë ta përjetojmë keq, katastrofë e madhe, po të paktën nuk ka humbje jete, kjo është kryesorja. Mbase do rregullohet. Për fikjen e zjarrit ishte një punë kolosale, tani nuk dimë asgjë se nuk e kemi parë asgjë brenda”, u shpreh qytetarja.

“Në momentin që ra zjarri ishim duke marrë mallin nga makina, sa kishim marrë furnizimin. Po bërtisnin njerëzit, filloi tymi. Për momentin nuk e kuptuam. Ishte llahtari, njerëzit që kërkonin ndihmë, fëmijët… nuk mund ta përshkruaj llahtarin që kam parë”, tregon një tjetër.

Kati i katërt ku ndodhej biznesi është i shkatërruar totalisht, ndërkohë që dëme ka edhe në pjesën tjetër të godinës.

Zjarri u arrit të neutralizohej rreth mesnatës, pas gati 9 orë betejë me flakët nga ana e zjarrfikësve, forcave policore dhe RENEA-s. Gjatë gjithë natës, në godinë kanë qëndruar zjarrfikësit për të parandaluar një tjetër riaktivizim të vatrave.

Ndërkohë, vendngjarja vazhdon të jetë e rrethuar me kordon sigurie dhe askush nuk lejohet të kalojë.

Zjarri u aktivizua rreth orës 14:40. Si pasojë u rrezikua jeta e shumë njerëzve, të cilët ndodheshin aty për pazar si dhe për të festuar ditën e krishtlindjeve, por dhe banorëve të pallatit 12-katësh. Të frikësuar dhe të panikosur, dy fëmijë të vegjël u ngjitën në tarracën e pallatit. Ata u shpëtuan nga forcat RENEA. Sipas autoriteteve, 39 persona si dhe tre zjarrfikës u dërguan drejt spitalit të Lushnjës për ndihmë mjekësore.

zjarri në lushnje

Lini një Përgjigje