
Genc Gjokutaj dhe Sokol Mengjesi, dy avokatët e Berishës janë paraqitur në GJKKO, ndërsa pritet të mbahet seanca për ish-kryeministrin.
GJKKO do të vendosë sot masën e sigurisë për Berishën, ndërsa SPAK ka kërkuar ‘arrest në shtëpi’.
Kërkesa e SPAK për zëvendësim mase u bë të premten vetëm një ditë pasi mori autorizimin nga Kuvendi, teksa gjyqtarja Irena Gjoka pritet që më sot ta pranojë këtë kërkesë, pasi më parë do të dëgjojë palët, prokurorët e SPAK dhe mbrojtjen e Berishës. Ende nuk dihet nëse ky i fundit do të jetë në seancë.
Në votimin e seancës të së enjtes, 21 dhjetor 2023, në më pak se 9 minuta, me 75 vota pro Kuvendi miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të autorizuar për arrestimin e Sali Berishës. Tentativat e vakëta të Berishës, përmes tensioneve në Kuvend dhe protestës përballë, rezultuan të paefektshme për ish Kryeministrin.
Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Në dosjen e klubit sportiv “Partizani” thuhet se ish Kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, sot në arrest shtëpie, të privatizojë kompleksin dhe ndërtojë 19 kulla të cilat i sollën fitim prej 5.4 mln euro.
Lini një Përgjigje