TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Shtator 2024, 14:39

Punishtja e diplomave “Wisdom”/ Ministret Nikolla, Kushi e Manastirliu i fshehën abuzimet dhe i akredituan 13 degë

Shkruar nga Pamfleti

Punishtja e diplomave “Wisdom”/ Ministret Nikolla, Kushi e

Pas plasjes së skandalit, ministrja Ogerta Manastirliu, përveçse tentoi të pastronte zullumet e saj, fshehu dhe zullumet e ish-ministreve Lindita Nikolla e Evis Kushi, duke thënë se kolegji universitar “Wisdom” ka abuzuar pas shpinës së tyre ...

Drejtues të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, kanë dalë në përgjimet e Prokurorisë së Italisë, si favorizues me shkelje ligji në këmbim të shpërblimeve materiale, të kolegjit universitar “Wisdom” në Tiranë, që shiste diploma false në Itali, por sipas hetimeve dhe në Shqipëri e rajon.

Në dosjen hetimore, thuhet se pronari italian Savino Cianci i kolegjit universitar “Wisdom” dhe gruaja e tij Lucia Catalano, i ka dhënë dhurata ish-Ministres së Arsimit, Evis Kushi, si shpërblim për akreditimet e programeve universitare.

Megjithëse janë në përgjimet e drejtësisë italiane, të dyja e mohuan faktin që janë shpërblyer me dhurata nga pronari i kolegjit universitar “Wisdom”, por urdhrat e vendimet që kanë firmosur, tregojnë se i kanë bërë favore abuzive këtij kolegji rrumpallë e fabrikë diplomash false.

Sipas të dhënave zyrtare që disponon “Pamfleti”, rezulton se Evis Kushi, prej shtatorit 2020 e deri në shtator 2023 që ishte Ministre Arsimi; dhe Kryetarja e Bordit të Akreditimit të Universiteteve, prej muajit korrik 2021 kur e emëroi kryeministri Edi Rama e deri në muajin korrik 2024, kanë miratuar 18 raporte fiktive për gjoja cilësi të lartë programesh, metodika, kurrikulash e mësimdhënie shkencore në kolegjin universitar “Wisdom” dhe i kanë akredituar 4 programe degësh e lëndësh të reja, me raporte kontrollesh e konkluzione false.

Por favore, kolegjit universitar “Wisdom” i ka bërë dhe Lindita Nikolla, gjatë viteve 2013-2018 si ministre Arsimi; konkretisht kur 2 javë pas pezullimit të licencës më 4 gusht 2014, ia ktheu përsëri licencën dhe i akreditoi 4 degë e 13 programe mësimore, megjithëse licenca iu pezullua për fiktivitet mësimi e provimesh dhe shitje e dhënie diplomash të pa merituara.

Kolegji universitar “Wisdom”, ishte licencuar me VKM Nr. 672, më datë 27. 09. 2006 në pushtetin “Berisha”, por u akreditua me urdhër të ministres Lindita Nikolla dhe me Vendim Nr. 103, datë 10.11.2017 të Bordit të Akreditimit, duke i hapur rrugën e veprimtarisë si Institucion i Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Ky akreditim i Lindita Nikollës, ishte deri në datën 9 shtator 2020 për degën “Financë-Bankë” në ciklin e parë Bachelor, ndërsa ministrja Evis Kushi ia zgjati akreditimin deri në shtator 2013.

Por Ogerta Manastirliu, dy javë pas nisjes së detyrës Ministre Arsimi, me Vendim Nr. 98, datë 23 shtator 2023, i zgjati kolegjit universitar “Wisdom” akreditimin deri në shtator 2028, duke i shtuar lejen për studimet master në degën “ E drejta penale”.

Saktësojmë, se dy ish-ministret e arsimit, Lindita Nikolla e Evis Kushi dhe ministrja aktuale Ogerta Manastirliu, kanë licencuar kolegjin universitar “Wisdom”, me raporte vlerësimi false, për  programe studimi në ciklin Bachelor për Drejtësi, Gjuhë të Huaja, Financë-Bankë, Menaxhim Biznesi, Administrim Biznesi, Psikologji Sociale, Psikologji Shkollore e Edukimi dhe studime profesionale 2-vjeçare për asistent ligjor e drejtues në administratë e pushtetin lokal.

Ndërsa pas plasjes së skandalit, ministrja Ogerta Manastirliu, përveçse tentoi të pastronte zullumet e saj, fshehu dhe zullumet e ish-ministreve Lindita Nikolla e Evis Kushi, duke thënë se kolegji universitar “Wisdom” ka abuzuar pas shpinës së tyre; ndërsa rektori Lush Përpali, tha se i kanë falsifikuar firmën te diplomat false që janë shitur./Pamfleti

 

wisdom punishtja e diplomave nikolla kushi manastirliu

Lini një Përgjigje