TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Shtator 2024, 14:09

“Sterilizimi”, GJKKO shtyn për më 3 tetor seancën ndaj Beqajt, ish-ministri: Sa kohë do më jepet për të përgatitur qëndrimet e mia?

Shkruar nga Pamfleti

“Sterilizimi”, GJKKO shtyn për më 3 tetor seancën

Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën e sotme ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj dhe të pandehurve të tjerë mbi dosjen e “Sterilizimit”.

Mësohet se seanca e rradhës do të mbahet më 3 tetor në orën 09:00.

Shkak u bë tejzgjatja prej 4 orësh e seancës dhe mosarritja që të ezaurohej leximi i akteve nga ana e SPAK-ut. Ndërkohë, gjatë seancës pati një pretendim të ngritur nga Beqaj, e që lidhet me thirrjen e tij në fillim të tetorit, në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për çështjen e sterilizimit.

“Jam thirrur në Komisionin Hetimor për të paraqitur pretendimet e mia dhe për të dhënë sqarime para deputetëve. Kam ndërkohë nga një tjetër trupë gjykuese një masë sigurie (për dosjen SASPAC), sa kohë do më jepet për të përgatitur qëndrimet e mia? Ky nuk është shqetësimi më i madh, pasi do duhet t’i zbërthej në komision të gjitha aktet dhe argumentet, një pjesë e të cilave përbëjnë sekret hetimor, dhe deklarimet e mia atje mund të përbëjnë shkelje të vendimit të gjykatës për mosnxjerrje të sekretit hetimor. Dua të di qëndrimin e gjykatës”, u shpreh ish-ministri i arrestuar për një tjetër çështje, atë të fondeve të SASPAC.

GJKKO u shpreh se mbrojtja e Beqajt duhej ta paraqiste një kërkesë të tillë zyrtarisht, që gjykata të dalë me një vendimmarrje rreth pretendimit të ish-ministrit, në lidhje me daljen e tij në komision. Çështja e “Sterilizimit” ka ngecur në seancë paraprake, për shkak të dosjes voluminoze, e ku mbrojtja ka kërkuar që SPAK ta lexojë në gjyq çdo akt, duke ngadalësuar kështu procesin.

Për dosjen e “Sterilizimit”, Beqaj akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërsa u la në masën detyrim paraqitjeje.

Ish-zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhen në qeli, ndërsa masa sigurie u caktuan për anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave. Të pandehurit akuzohen për koncesionin me vlerë 100 mln euro.

gjkko beqaj 3 tetor

Lini një Përgjigje