TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Janar 2026, 20:17

Pse këtë herë janë ndryshe protestat në Iran? Ilir Kulla: Ka një dorë nga jashtë që po ndërhyn

Shkruar nga Pamfleti
Pse këtë herë janë ndryshe protestat në Iran? Ilir
Ilir Kulla

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i ftuar në podkastin “Të Pashoq”, analizoi protestat e fundit që kanë shpërthyer në Iran, duke i cilësuar si më komplekse se sa duken në sipërfaqe. Sipas tij, shkëndija e revoltës vjen nga rritja e çmimeve dhe zhvlerësimi i rialit, por nuk mbaron me kaq.

“E ka marrë shkas nga arsye ekonomike, por motivet janë shumë më të thella. Protesta është e shpërndarë në të gjithë territorin, dhe kjo e bën ndryshe nga herët e tjera,” tha Kulla, duke theksuar se situata nuk është spontane, por e organizuar dhe potencialisht e mbështetur nga faktorë të jashtëm.

Ai solli në vëmendje protestat masive të viteve 2022-2023 për çështjen e mbulimit të grave, duke i krahasuar me aktualet që, sipas tij, ndonëse më të vogla në numër, kanë objektiva më të qarta politikë.

Ilir Kulla: Këtë radhë protestat e kanë marrë shkëndijën nga rritja e çmimeve dhe nga zhvlerësimi i monedhës lokale, rialit. Arsyeja kryesore janë kushtet ekonomike. E ka marrë shkas nga ekonomia, por arsyet janë të shumëfishta. Kujtojmë që në vitet 2022 dhe 2023 pati protesta për çështjen e mbulimit të grave. Ato protesta ishin shumë më të mëdha se këto aktualet.

Vetë shoqëria iraniane është një shoqëri goxha e ndarë. Siç ka krahun ekstrem, ka edhe një krah liberal, sidomos nëpër qytete. Ajo që e bën ndryshe situatën këtë herë është se protestat janë të shpërndara në të gjithë territorin. Po ashtu, ka indikacione se mund të ketë një dorë mbështetëse nga jashtë, të paktën në aspektin e përhapjes së tyre.

Këtu hyn në lojë edhe ajo që quhet menaxhim i reputacionit. Çfarë do të thotë kjo? Kur ndodhin ngjarje të tilla, siç e kemi parë edhe në rastin e Sirisë gjatë Pranverës Arabe, ka një menaxhim të mediave për të ndikuar në perceptimin publik të kryengritjes. Lajme të vërteta, gjysmë të vërteta dhe të pavërteta përzihen në një betejë për opinionin publik.

Që të lëvizin vërtetë gjërat në Iran, duhet të lëvizë një nga tre ose katër pushtetet kryesore të vendit. Në këtë rast, protestat duket se synojnë të godasin pikërisht reputacionin e liderit fetar, si mënyrë për të minuar legjitimitetin e tij.

 

kulla shba iran

Lini një Përgjigje