TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Janar 2026, 20:50

“Provat i ruan Zoti, jo shteti!”, Gerd Hoxha jep alarmin për sigurinë në gjykata

Shkruar nga Pamfleti
“Provat i ruan Zoti, jo shteti!”, Gerd Hoxha jep alarmin për
Gerd Hoxha

Gjykata e Tiranës, institucioni më i ngarkuar i drejtësisë në vend, po funksionon në kushte të mjerueshme sigurie dhe infrastrukture. Nënkryetari i këtij institucioni, Gerd Hoxha, ngriti publikisht shqetësime serioze lidhur me mungesën e fondeve dhe pajisjeve bazë, duke deklaruar se situata ka degraduar në pikën ku provat “i ruan Zoti” pasditeve, dhe jo strukturat shtetërore.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Hoxha bëri të ditur se prej vitesh janë adresuar kërkesa për përmirësimin e kushteve, por ato janë injoruar nga institucionet përgjegjëse. Një nga skanerët e sigurisë është jashtë funksioni prej kohësh, ndërsa kërkesat për pajisje shtesë janë përmbushur vetëm pjesërisht. Ai theksoi se për vitin aktual është miratuar vetëm 7–10% e nevojës reale për pajisje, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit është përdorur për paga, sigurime dhe vetëm një skaner të ri.

Minus 90% nga fondet e kërkuara për pajisje. Kjo nuk është thjesht neglizhencë, kjo është shpërfillje sistematike e drejtësisë,” deklaroi ai. Hoxha përmendi gjithashtu mungesën e theksuar të forcave të rendit në ambientet e gjykatës. Sipas tij, janë të nevojshëm të paktën 60 punonjës policie për ruajtje fizike dhe siguri në çdo kat të godinës. “Kërkojmë dy ose tre policë për kat. Por realiteti është se pasdite, provat i ruan Zoti,” tha ai me tone të forta.

Në të vetmen notë pozitive të deklaratës së tij, Hoxha falënderoi Risena Xhajën, drejtuesen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, për ndihmën në sigurimin e disa pajisjeve thelbësore për sigurinë.

Kjo deklaratë tregon qartë gjendjen e mjerueshme të një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë në vend. Nëse Gjykata e Tiranës po mbahet në këmbë me improvizime dhe falë ndihmës nga jashtë sistemit, atëherë çdo premtim për reformë në drejtësi tingëllon hipokrit.

gerd hoxha siguria ne gjykata

Lini një Përgjigje