Paraditen e sotme, qindra shqiptarë janë mbledhur në sheshin "Duomo" në Milano, ku kanë shfaqur pankarta dhe mesazhe që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Lëvizja protestuese e nisur pas debatit për çështjen e Zvërnecit dhe e shndërruar kundër qeverisë Rama, po merr përmasa më të gjera, duke u shtrirë nga Shqipëria në disa qytete europiane ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptare.
Paraditen e sotme, qindra shqiptarë janë mbledhur në sheshin "Duomo" në Milano, ku kanë shfaqur pankarta dhe mesazhe që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës në Milano, pjesëmarrës të ndryshëm kanë marrë fjalën për të shprehur arsyet e pakënaqësisë së tyre ndaj qeverisë. Në fjalimet e mbajtura në sheshin "Duomo", qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke renditur si shqetësime kryesore varfërinë, emigracionin e të rinjve, korrupsionin, dhe mungesën e besimit te institucionet. Protestuesit kanë argumentuar se largimi masiv i shqiptarëve nga vendi dhe vështirësitë ekonomike janë tregues të dështimit të politikave qeverisëse gjatë viteve të fundit.
Protesta ka marrë një karakter më të gjërë dhe nuk lidhet vetëm me çështjen e Zvërnecit, por edhe me pakënaqësitë e grumbulluara ndaj skandaleve të qeverisë Rama.
Protestat nisën javën e kaluar në Tiranë dhe sot pritet të zhvillohet tubimi i shtatë radhazi në kryeqytet. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, lëvizja u shtri edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën dhe Durrësin.
Paralelisht, protesta janë organizuar edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Tubime janë mbajtur në Berlin dhe Oslo, Mynih ndërsa një tjetër tubim është paralajmëruar për në orën 16:00 ditën e nesërme në Hamburg të Gjermanisë.
Pjesa më e madhe e protestuesve janë të rinj, të cilët shprehen kritikë si ndaj qeverisë ashtu edhe ndaj opozitës tradicionale. Shumë prej tyre deklarojnë se nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjë forcë politike dhe kërkojnë ndryshim të klasës politike në tërësi.
Organizimi i protestave jashtë vendit është ndihmuar edhe nga rrjetet sociale, ku të rinjtë kanë shpërndarë video, foto dhe thirrje për pjesëmarrje. Kjo ka krijuar një zinxhir solidarizimi mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke bërë që tubime të ngjashme të organizohen në disa qytete europiane brenda pak ditësh.
Lini një Përgjigje