
Prokuroria e Sarandës ka lëshuar 12 masa sigurimi ndaj punonjësve të policisë, zyrtarëve vendorë dhe biznesmenëve, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe ndërtime të paligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar, masat janë caktuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë”, të kryera më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, si dhe për “Ndërtim të paligjshëm”, të parashikuara nga nenet 248, 251, 25, 50/h dhe 199/a/4 të Kodit Penal.
Deri tani janë ekzekutuar masat e sigurisë për katër persona: B.T., ish-shef i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në shtëpi”, i dyshuar për “Shpërdorim detyre” të kryer më shumë se një herë;
K.S., ndihmës specialist i policimit në komunitet në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është vendosur masa “arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
K.SH., po ashtu ndihmës specialist i policimit në komunitet në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në burg”, i dyshuar për të njëjtën vepër penale;
A.P., pronar i hotelit “Oasis”, ndaj të cilit është vendosur masa “arrest në burg”, i dyshuar për “Ndërtim të paligjshëm”.
Prokuroria bën me dije se vijon puna për ekzekutimin e tetë masave të tjera të sigurisë të vendosura nga gjykata.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Sarandë lëshon 12 masa sigurimi për punonjës të policisë, zyrtarë vendorë e biznesmenë të dyshuar për shpërdorim detyre e ndërtime të paligjshme
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, lëshoi 12 urdhra ekzekutimi për veprat penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë’, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe ‘Ndërtimi i paligjshëm’ parashikuar nga nenet 248, 251, 25 dhe 50/h si dhe 199/a/4 të Kodit Penal.
Vendimi për caktimin e masave të sigurimit u dha për zyrtarë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Sarandë, punonjës të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe biznesmenë në fushën e ndërtimit, në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.304 të vitit 2026.
Aktualisht u ekzekutuan masat e sigurimit për 4 prej personave nën hetim, konkretisht:
•B.T, me detyrë ish Shefi i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisatriatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës kryer më shumë se një herë;
•K.S, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;
•K.SH, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;
•A.P, pronar i Hotel “Oasis” ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.
Lini një Përgjigje