Ka pasur shumë reagime për mbylljen e Radio Televizionit Shqiptar, pas deklaratave të bëra pasditen e së premtes nga kryeministri Edi Rama, i cili shfaqi hapur kritikat për mënyrën e menaxhimit të RTSH-së, duke e quajtur një dështim.
Një kritikë e ashpër për kryeministrin ka ardhur së fundmi edhe nga regjisori Osman Mula, një nga emrat që i ka kushtuar gjithë jetën e tij këtij institucioni.
Përmes një postimi, gjerë e gjatë ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për kontrollin që ka mbi median dhe përdorim të televizionit publik për interesa personale.
Sipas regjisorit mbrapa këtyre deklaratave të kreut të qeverisë, qëndron një tjetër skenar, ndërtimi i kullave, projektet e të cilave prej vitesh kanë qëndruar në zyrën e kryeministrit.
Postimi i plotë: Ky ishte synimi yt tash 13 vjet. Që nuk e sheh RTSH-në nuk shqetësohem, por kur armata e medias, si private ashtu edhe ajo publike, të shërben ty dhe vetëm ty, me porosi dhe përcaktim “o me mua ose në ferr”, kjo më shqetëson mua.
Ky është parimi yt. Po mirë, nuk je ti ai që porosite dhe u premtove gazetarëve se cilin nga ata më të zellshmit do ta bëje drejtor të përgjithshëm të RTSH-së dhe ata, pasi të emëroheshin, do të bënin stafet që të shërbenin ty? Edhe të tjerët vepruan si ti, por ti gabove rëndë. Ti krijove një nepotizëm të sëmurë aq sa, nga paaftësia e tyre dhe servilizmi ndaj teje, të ngopin ose ta neveritin ekranin, sa tani je gati t’i hedhësh nga ura (siç e ke zakon ti pasi i shtrydh).
Tani, se kush është Radio Televizioni Publik Shqiptar kjo dihet, sepse ka 70 vjet që funksionon dhe për 50 vite ishte stacioni i vetëm, por që mbajti gjallë publikun shqiptar. Çdo vend i botës ka një televizion publik kombëtar, pasi është i një rëndësie të veçantë dhe zhvillon problemet kombëtare, transmeton evenimentet kryesore të shtetit të tij, ndryshe nga stacionet private që e kanë në themel konkurrencën dhe thithjen e reklamës në çdo mënyrë.
Nuk është detyra e Radio Televizionit Publik t’i shndërrojë emisionet apo programet në “Elektrik Blu”, siç i ke ti disa stacione për zemër, ku edhe në banjo u vënë kamera të fshehta. Të mos e shohësh prej 35 vjetësh stacionin publik shqiptar nuk është as mençuri dhe as snobizëm i kohës për të treguar se sa modern jam unë.
Ti nuk je kryetar opozite sot që mund të thuash nesër: “Unë do ta reformoj ose do ta prish Radio Televizionin Publik Shqiptar”. Ti ke 13 vjet që je në pushtet dhe komandon çdo gjë që është sot në Shqipëri. E mban mend kur në 2014 e shembe televizionin Agon Channel të italianit sepse e pe si kundërshtar. Që në start e nise gabim: duhet ta respektosh mendimin ndryshe, kjo është demokracia, por ti nuk e pranon, sepse je i dhunshëm.
Mban përgjegjësi edhe për RTSH-në, se ti i emëron kuadrot drejtuese në RTSH, në KKRT dhe me mazhorancën në Këshillin Drejtues të RTSH-së. Të gjithë sektorët i ke me përfaqësues nga ana jote; bile edhe 40 projektet e vitit të fundit u realizuan në RTSH nga beniaminët tuaj, sa në studio aq edhe në podcast, duke thithur buxhetin me pagesa të mëdha që e futën institucionin në kolaps financiar. Mos luaj indiferentin, se ti me dashje nuk e sponsorizon Radio Televizionin, se as nuk të pëlqen për të. Ti aty do truallin, se do të bësh kulla, dhe mos i bjer nga Kina që e ke për zemër, por thuaj troç që do ta shembësh, pasi ke vite që edhe projektin e kullave e mban në zyrën tënde.
Na dërgove edhe një deputet, gjoja kundërshtar tëndin, dhe e shoqërove me dy njerëz që t’ia tregonin rrugën dhe e sollën te dera e Radio Televizionit. Pasi e pa me vëmendje, tha: “Këtu mund të ndërtohen kulla”. Ky ishte ai Goni jot, një politikan që sapo fillon karrierën politike e fillon mbrapsht dhe tallet me djersën e qindra e qindra punonjësve që punuan me dekada në atë televizion. Radio Televizioni është në pronë të vet dhe ka financa të mbrojtura nga taksat e shqiptarëve. Është anëtar i EBU-së, për të cilën erdhi një delegacion dhe ra dakord për një zhvillim akoma më modern teknologjik, si të ruajmë financat dhe si të thithim reklamën. Për këtë arsye dërguam një delegacion të kryesuar nga zonja Eni Vasili, drejtoreshë e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar.
Për pak muaj që jemi aty, korrigjuam financat, organizuam njësitë dhe departamentet, i deleguam punë të gjitha hallkave në RTSH dhe vendosëm fashorarin, pasi transmetimi në TVSH me aq shumë stacione nuk linte gjurmë. Mbi të gjitha hoqëm nervin psikologjik të frikës, që ishte kthyer si rajon policie në Radio Televizion. Njerëzit ishin aq të trembur për të nesërmen.
Ne jua rritëm rrogat, i futëm shpresën dhe në monitorimin e kohëve të fundit RTSH-ja u ngrit disa shkallë. Dhe del ti me idenë e një sunduesi dhe vetëm shan e mallkon njerëz që i ke vënë vetë. Mos u merr me RTSH-në; ktheji sytë kah qeveria jote, se gjysmat i ke nëpër burgje. Kur ne nuk na sheh, përse na dërgon grupe me shkresa 3-vjeçare nga stacione që i ke për zemër, kur për 3 vjet ata duhet të merren me festivalet, kur vetë institucioni ka punonjësit e vet?
Përse atëherë ti, kur nuk e sheh televizionin, e fton këngën fituese në podcastin tënd, siç fton edhe fituesin e “Big”-ut tënd për të treguar se sa të ndjekin ty? Nuk mund të ma thuash mua, as kolegëve të mi që kemi punuar me Kiço Fotiçallin, Virgjil Kulen, Vera Zhejin, Haki Bejlerin, Tefta Radin, Dhimitër Gjokën etj., sepse ata ishin kolosë të mikrofonit dhe jo moderatorë si ti. Atëherë nuk të takon të merresh me atë institucion dhe ta mohosh, sepse s’të nderon ty.
Meqenëse nuk të ndihmon, mos i fyej drejtuesit që i solle vetë; nuk është e moralshme. Përse ndihmon stacionet private me buxhete të mëdha dhe me të drejtën e reklamës, me sponsorizime spektaklesh si nga qeveria ashtu edhe nga bashkia, me shuma marramendëse çdo vit, dhe ata të ftojnë për t’u shpëlarë dhe të japin ndonjë kupë në dorë që ti t’ia dhurosh ndonjërit që ka fituar nga lotaria kombëtare? A nuk je ti që i emërove dy drejtorë të përgjithshëm në RTSH: njëri përfundoi në burg dhe tjetri kandidat? Kush mban përgjegjësi?
Po ata artistë që i merr ti në avion dhe i paguan nga qeveria, jo vetëm një herë, por në çdo udhëtim, për t’i përdorur në çdo fushatë në salla për diasporën. Bile njërës i dhe gjysmën e parkut te Liqeni, se gjoja do të bënte recital. Këta artistë i ke edhe në postera rrugësh dhe ai stafi yt servil që i ke në kryeministri të bën seleksionimin se kush është me ty dhe kush është kundër teje.
Ti nuk pyet për asnjë institucion artistik, sepse ti të gjitha i prishe, si kinema, Teatrin Kombëtar, cirkun, estradën dhe tani së fundmi RTSH-në. Të gjithë duam që të reformohet Radio Televizioni Shqiptar. Të gjithë duam reformë, por në RTSH ke mbesa e nipa dhe njerëz me tesër e pa tesër që të shërbejnë ty. Dhe po t’i heqim, do t’i kthesh përsëri ti.
Ai institucion do të mbijetojë, edhe pse ti je hakmarrës, konjunktural, anti-RTSH publik. Ti mendon se këtu mund të fshish gjithçka dhe sytë i ke si ta rregullosh botën. Rregullo veten dhe shtetin, se je sot njeriu më i përfolur në Ballkan e Europë për korrupsion shtetëror. Bile kaq i dashuruar je me veten dhe me kullat, sa që edhe portretin tënd e do aty në majë. Po mirë, është Skënderbeu aty, nuk ka nevojë për kalorës tjetër. Na the se ka 35 vjet që nuk na sheh; as ne nuk të shohim ty. Bile unë kam 20 vjet që nuk të ndjek, se sa del ti në ekran nuk më le gishti, se shtyp pultin.
Prej vitesh, në dhjetor, kur ka aktivitete artistike si festivali apo koncerti i Vitit të Ri, çelet ekrani, gëzon si fëmijë, gjithçka duket më e bukur bashkë me çantat që mbajnë njerëzit për sofrën e Vitit të Ri, por sa vjen janari dhe fillon parlamenti yt, gjithçka venitet, gjithçka rrudhet. Kjo vjen si rezultat i politikës që nxjerr vrer. Po ta kujtoj ish-presidentin e Amerikës, Nixon, kur dha dorëheqjen nga skandali i Watergate. Dhe në intervistën e parë, sapo doli para gazetarëve, u shpreh: “U tërhoqa si president, pasi urrejtja që mbaja thellë në shpirt ndaj medias më mundoi, s’më la të qetë, nuk arsyetoja dot, prandaj hapa rrugë.”
Bravo Osman Mula