Një projekt i Bashkisë së Durrësit të drejtuar nga Kryebashkiakja Emirjana Sako ka acaruar banorët e qytetit bregdetar që kanë tentuar të hyjnë forcërisht në mjediset e institucionit.
Më konkretisht bëhet fjalë për projektin që lidh Currilat me rrugën “Aleksandër Goga”, që ka ngritur në protestë banorët e lagjeve 7 dhe 8 që preken nga shpronësimet.
Qytetarët kanë tentuar të ndërpresin mbledhjen ku do të miratohet ky vendim, por janë penguar nga Policia.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak një nga pikat e rendit të ditës lidhej me shpronësimet e shtëpive të këtyre banorëve, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës.
Banorët deklarojnë në prononcimin e tyre për mediat, se nuk janë vënë në dijeni më përpara lidhur me prishjen e shtëpive dhe kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, sepse sipas tyre është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi.
Banorët kërkojnë nga bashkia që t’u sigurojë më përpara një shtëpi. Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik. Janë evidentuar 131 pronarë (privatë dhe shtet) për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit.
“Nuk ka mbledhje, mos guxo. Dilni nga mbledhja. Duhet të ju vijë turp”, shprehet i revoltuar një qytetar.
“Po dalim nga shtëpitë”, janë shprehur ata ndërsa tentojnë të hyjnë brenda me forcë.
Gjithashtu banorët kanë bllokuara për disa minuta rrugën përpara bashkinë, ndërsa policia ka ndërhyrë për të shpërndarë qytetarët.
Lini një Përgjigje