
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) njofton qytetarët mbi shërbimin “Kërkesë për kalimin e pronësisë të truallit shtetëror në përdorim”, i cili synon të ndihmojë individët dhe subjektet që përdorin truall shtetëror, por nuk disponojnë akt pronësie ose akti që kanë është i pavlefshëm, në përputhje me Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë.
Ky shërbim ofron mundësinë për të përftuar dokument pronësie mbi truallin, veçanërisht në rastet kur qytetarët kanë akt të regjistruar ose të regjistrueshëm vetëm për ndërtesën e ngritur mbi truall shtetëror.
Për të përfituar nga ky shërbim, aplikuesit duhet të plotësojnë disa kritere bazë:
Trualli dhe ndërtesa të jenë në posedim të subjektit aplikues;
Ndërtesa të jetë përfituar ligjërisht, përmes privatizimit, blerjes nga ndërmarrjet shtetërore, ish-kooperativat bujqësore ose njësitë e vetëqeverisjes vendore, ose të jetë ndërtuar mbi bazë lejeje ndërtimi të lëshuar pas vitit 1991;
Ndërtesa të ketë funksion banimi ose social-ekonomik;
Trualli të jetë pronë shtetërore dhe jo pronë publike e patjetërsueshme.
Për ndërtesat me funksion banimi, kalimi i truallit shtetëror në pronësi bëhet pa kosto, duke i mundësuar qytetarëve të përftojnë pronësinë mbi truallin pa pagesë.
Në varësi të statusit të ndërtesës, qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, që mund të përfshijë:
Kontratë pronësie mbi ndërtesën, shoqëruar me genplan ose planimetri, ose leje ndërtimi dhe genplan përkatës;
Deklaratë noteriale që ndërtesa nuk është tjetërsuar tek të tretët, kur kërkohet;
Kontratë kalimi pronësie ose certifikatë/vërtetim regjistrimi në regjistrin kadastral, në rastet kur ndërtesa është e regjistruar;
Vërtetim nga drejtoria rajonale tatimore për pagesën e taksës së truallit në përdorim, nga data 7 qershor 2010 deri në momentin e aplikimit.
Aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania, ndërsa dokumentet origjinale mund të dërgohen edhe me postë pranë drejtorisë vendore ASHK.
Ky proces synon të lehtësojë kalimin në pronësi të truallit shtetëror, të forcojë sigurinë juridike për qytetarët dhe të përmirësojë qasjen në shërbimet kadastrale përmes digjitalizimit.
Lini një Përgjigje