
Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, është arrestuar pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim.
Vendimi i Apelit konfirmoi dënimin e dhënë më 24 janar 2025 nga Gjykata e Posaçme. Pas shpalljes së vendimit, Memolla u vetëdorëzua, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa.
Ekzekutimi i vendimit u krye nga strukturat e Policisë së Durrësit. Gjykata dënoi me nga 1 vit burg Edison Memollën, Blerim Xhamanin dhe Ndriçim Tafxhafën, për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, të kryer në bashkëpunim.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës ekzekutuan vendimin e datës 09.02.2026, të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka dënuar me nga 1 burgim, shtetasit E. M., 39 vjeç, B. Xh., 48 vjeç dhe N. T., 54 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.
Memollës gjithashtu iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Blerim Xhamani u shpall fajtor edhe për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, të kryer në bashkëpunim. Ndriçim Tafxhafa u dënua vetëm për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Në të njëjtën çështje, Isuf Tosku u dënua me 8 muaj burg për falsifikim dokumentesh, por dënimi iu pezullua dhe u vendos në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Hetimi ndaj kryebashkiakut të Rrogozhinës nisi pas publikimit të një përgjimi audio, ku sipas SPAK, Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie, ndërhynte tek një punonjës i OSHEE për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenteje debitore, me qëllim përfitimin e votës së saj në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Në atë proces zgjedhor, Memolla kandidonte nën siglën e Partisë Socialiste.
SPAK përfundoi hetimet për këtë çështje më 2 nëntor 2023. Me ekzekutimin e vendimit të Apelit, çështja ndaj kryebashkiakut të Rrogozhinës hyn në fazën e vuajtjes së dënimit dhe sjell largimin e tij nga funksionet publike.
Turp te tjeter vjedhin miliona Çfarë ka ba Melilla futni ne burg gjithe politikanet dhe shtetarët Monika ne 2013 punësoj me qindra injorant dhe pushoj me qindra specialist kjo asht drejtesijajone e korruptuar