Për Ramën, që sapo është cilësuar një “udhëheqës i shquar” nga administrata Biden, ky kontakt me Kushner duket një “plan B”, që garanton mbështetje të palëkundur, edhe nëse qytetarët amerikanë votojnë ndryshimin e administratës Biden.
Media amerikane Bloomberg News njoftoi dje se dhëndri i Donald Trump, Xhared Kushner synon të investojë në Shqipëri qindra miliona dollarë nëpërmjet dy projekteve turistike me kompaninë e tij, Affinity Partners. Bashkë me një projekt tjetër në Beograd, vlera e investimit mund t’i kalojë 1 miliard dollarët.
Projekti i i parë në Shqipëri do të jetë një resort luksi në ishullin e Sazanit të markës së hoteleve Aman, që është një nga markat më të shtrenjta në botë.
Projekti i dytë do të jetë në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, ku planifikohet ndërtimi i disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila.
Investimi që ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura
Herën e parë në Shqipëri, Jared Kushner erdhi me bashkëshorten, Ivanka Trump në verën e vitit 2021. Nga Durrësi në Himarë ata qëndruan në jahtin e tyre duke shijuar bregdetin shqiptar. Bashkë me ta ishte edhe sheiku Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSG-së. Në Butrint, i shoqëroi Auron Tare që bëri edhe ciceronin.
Herën e dytë, në verën e vitit të kaluar Jared Kushner erdhi edhe për punë ai shoqërohej jo vetëm Ivanka Trump, por edhe nga Richard Grenell, ish-i dërguar i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor dhe Asher Abehsera ortaku i tij në biznes.
Në prononcimin për Bloomberg News, Kushner pranon se sinjalet e para për të investuar në Shqipëri i mori pikërisht nga këta dy persona, Richard Grenell dhe Asher Abehesera.
Pavarësisht se çfarë thotë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që projekti për Sazanin duhet të ende të shqyrtohet, apo se projekti për Zvërnecin nuk ka ardhur ende në ministri, është e qartë se dy biznesmenët nuk ia kanë lënë rastësisë investimin prej qindra miliona dollarësh.
Dyshimet se projekti është miratuar nga të dyja palët përforcohen edhe nga një lëvizje tjetër e mazhorancës, siç ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura dy javë më parë.
Investimet private në parkun kombëtar detar në Sazan dhe në peisazhin e mbrojtur në Zvërnec, deri pak kohë më parë pengoheshin nga ligji. “Ky detaj i vogël” ndryshoi me votën e socialistëve në parlament dhe i dha të drejtë privatit të hyjë si investitor strategjik edhe në zonat e mbrojtura për të ndërtuar hotele apo vila luksi, posaçërisht si ato që synon të ndërtojë dhëndri i Trump në bregdetin shqiptar.
Një shans i artë për Edi Ramën
Kur kryeministri i Shqipërisë i fal tokë dhe taksa investitorëve arabë, sigurisht që asgjë nuk e ndal të jetë bujar edhe me investitorët amerikanë.
Rama ka pasur rastin ta takojë vetëm një herë Donald Trump, pak sekonda në një samit të NATO-s në Kroaci. Një pamje flu e kapur shpejt ishte për të “Photo of the day”. Ky investim i Jared Kushner në Shqipëri, duket një rast i artë për të pasur një kontakt me familjen Trump.
Kandidati i republikanëve për president, Donald Trump ka thënë se nuk do që e bija, Ivanka dhe dhëndri i tij Jared të përfshihen në fushatën presidenciale për Shtëpinë e Bardhë, por sërish Jared është komentuar në mediat amerikane si këshilltari i tij i preferuar, që ende e ka një rol në prapaskenë.
Për Ramën, që sapo është cilësuar një “udhëheqës i shquar” nga administrata Biden, ky kontakt me Kushner duket një “plan B”, që garanton mbështetje të palëkundur, edhe nëse qytetarët amerikanë votojnë ndryshimin e administratës Biden.
Jared Kushner, së fundmi mori një investim prej 2 miliardë dollarësh nga fondi i pasurisë sovrane i kontrolluar nga Princi Mohammed, i Arabisë Saudite. Kur opinioni publik në Shtetet e Bashkuara i kujtoi rolin e princit në vrasjen e gazetarit Xhemal Kashogi, dhëndri i Trump tha se nuk i kishte lexuar raportet e inteligjencës.
“Ajo që ndodhi ishte e tmerrshme. Por sërish, po ju them: Roli jonë është të përfaqësojmë Amerikën dhe të bëjmë që gjërat të ecin mirë në Amerikë” u shpreh ai./ Lapsi
Lini një Përgjigje