TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Shkurt 2026, 17:04

Policia devijoi trafikun, rruga Maliq–Gramsh e dëmtuar në shumë akse të saj

Shkruar nga Pamfleti
Policia devijoi trafikun, rruga Maliq–Gramsh e dëmtuar në
Rruga Maliq–Gramsh e dëmtuar

Rruga Maliq–Gramsh, e cila prej ditës së sotme po shërben si aks alternativ për lidhjen e juglindjes me Elbasanin dhe më tej me Tiranën, po përballet me dëmtime serioze në trupin e saj, ndërsa fluksi i shtuar i mjeteve ka sjellë edhe radhë të gjata në disa segmente.

Gjatë ditës së sotme janë evidentuar plasaritje të thella në disa pjesë të këtij aksi, duke krijuar vështirësi të ndjeshme në qarkullim dhe rrezik të shtuar për drejtuesit e mjeteve. Në disa zona dëmtimet në asfalt janë të dukshme, ndërsa amortizimi i rrugës është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me periudhat e mëparshme.

Ky aks rrugor ka shfaqur problematika edhe më herët, por ditët e fundit situata është rënduar, në një kohë kur mbetet e vetmja rrugë e hapur që siguron lidhjen e qarkut të Korçës me Tiranën. Devijimi i trafikut drejt këtij segmenti erdhi pas bllokimit të plotë të qarkullimit në aksin “Librazhd–Pogradec”, për shkak të rrezikut të shembjes së urës në zonën “Arrat e Gurrës”, pranë Dragostunjës, si pasojë e përkeqësimit të rrëshqitjes së dheut.

Pas këtij vendimi, qarkullimi i mjeteve është orientuar drejt aksit Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh për mjetet e vogla, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët nuk lejohen të kalojnë në këtë segment, për shkak të kushteve të sigurisë. Shtimi i menjëhershëm i fluksit ka rritur presionin mbi një infrastrukturë që tashmë paraqet dëmtime, duke sjellë lëvizje të ngadaltë dhe pritje të gjata për drejtuesit e mjeteve.

Policia e qarkullimit rrugor ka vendosur postblloqe dhe po monitoron situatën në terren, ndërsa u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, për shkak të plasaritjeve dhe shkarjeve të dheut të evidentuara në disa pika të rrugës.

 

Lini një Përgjigje