
Analisti Neritan Sejamini ka komentuar nivelin e kriminalitetit në Shqipëri, të cilin e quan mjaft shqetësues.
Në një intervistë për "Të Paekspozuarit" ai tha se shqiptarët kontrollojnë trafikun e drogës në rang global. Sejamini shtoi se tashmë në Shqipëri edhe konsumi i drogës është kthyer në nivel mjaft shqetësues, siç tregoi edhe operacioni i kapjes së qindra shpërndarësve të drogës të cilët e shpërndanin lëndën narkotike në shkolla.
"Shqipëria ka një problem të madh me drogën. Shqiptarët janë kombi i vogël me më pak se 6-7 milionë në botë. Është bërë një nga vendet që kontrollon totalisht trafikun e drogës.
Ne themi nuk ka gjë që bëjnë njerëzit drogë, sepse ne vetëm e transportojmë dhe marrim paratë.
Sot në Shqipëri ka filluar përdorimi masiv i drogës. Për përdorimin e kokainës Shqipëria është në 2-3 vendet e para. Nëpër shkolla dhe institucione me të rinj, ka shpërndarje masive të drogës. Jetojmë në situatë që nuk ka asnjë strategji kombëtare për luftën kundër krimit dhe drogës.
Ne vetëm fragmentojmë gjithçka. Kjo nuk ka të bëjë me luftën kundër krimit. Kjo duhet të bëhet çështje kryesore ndryshe do të na mbysë droga. Kemi policinë, prokurorinë, politikën, që punojnë për një kriminel. Kemi problem të madh me krimin. Është aktiviteti kryesor ekonomik në Shqipëri.
E ardhmja është e zymtë për Shqipërinë.
Krim ka kudo, por ndryshimi mes një shteti dhe vendi të falimentuar dhe nënshtruar ndaj krimit, në vendet e tjera shteti e lufton krimin, në Shqipëri krimi e ka bërë shtetin instrument për zhvillimin e aktivitetit kriminal.
Krimi dhe droga duhet të kthehen në çështje kryesore për ne", u shpreh Sejamini.
Lini një Përgjigje