
Ish-peshëngritësi Pirro Dhima vijon të mohojë origjinën. Teksa Mitsotakis e kandidoi për eurodeputet, ai ka deklaruar për mediat greke se nuk e ndjen aspak veten shqiptar. Ai është shprehur se është bullizuar shpesh, teksa e cilëson si fyerje që e quajnë shqiptar.
Dhima tha se minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi janë dhe duhet të jenë urë lidhëse për miqësinë mes dy vendeve, fakt ky që është pohuar edhe nga vetë Mitsotakis në prani në zotit Rama në Derviçan të Shqipërisë.
“Poooo, çdo ditë, çdo ditë. Nga mëngjesi në darkë më shajnë. Për shumë vite seri ndodh kjo gjë. Ende edhe sot disa trollë shkruajnë nga mëngjesi në darkë, më shajnë, më fyejnë. Më quajnë shqiptar. Unë nuk ndjehem shqiptar, s’jam ndjerë ndonjëherë shqiptar, nuk jam shqiptar”, tha ai në një intervistë.
Dhima tha se ka respekt për shqiptarët, pasi është rritur me ta. Ai gjithashtu i mëshon pretendimit grek të “Vorio Epirit”, një ëndërr kjo e grekëve.
“I respektoj shqiptarët, kam shokë, kam vëllezër shqiptarë. Jam rritur me ta. Flas çdo ditë me ta në telefon. Këtu në Greqi kemi shumë shqiptarë, njerëz të nderuar, familjarë që rrisin fëmijët e tyre me ndershmëri. Kanë mundur të bëjnë pasuri këtu, kanë hapur punët e tyre janë nikoqirë të nderuar. Janë punonjës të shkëlqyer. Unë dua të përmend fjalën e kryeministrit tonë (Mitsotakis) që tha në Derviçan në prani të kryeministrit shqiptar Rama: Minoriteti grek në Shqipëri, në Vorioepir dhe emigrantët shqiptarë që kanë ardhur në Greqi duhet te jenë urë miqësie, zhvillimi dhe mirëqenie për të dy vendet”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje