TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Dhjetor 2025, 20:47

Përplasja e BKH me Gardën, Ilir Kulla tregon episodin në Presidencë dhe rrugën se si mund të ishte shmangur konflikti

Shkruar nga Pamfleti
Përplasja e BKH me Gardën, Ilir Kulla tregon episodin në
Ilir Kulla

Eksperti i Sigurisë Ilir Kulla, ka analizuar “incidentin" që ka ndodhur në Kryeministri, ku hetuesit e BKH tentuan të hyjnë të armatosur. Mbi këtë gjë reagoi ashpër kryeministri. Kulla, i cili ka shërbyer si këshilltar sigurie në Presidencë, ka treguar një episod gjatë kohës që në krye të institucionit ishte Bamir Topi. Në “Të Pashoq”, ai ka treguar dhe rrugën që duhej ndjekur për të shmangur mosmarrëveshjet.

-Të sqarojmë atë procedurën, si është, lejohen të armatosur apo jo?

Unë e kam pasur një eksperiencë shumë vite përpara, kur ishte presidenti Topi në detyrë dhe unë isha këshilltar i Sigurisë Kombëtare. Ndodhi një incident një ditë të diel. Dikush hyri nga dera anësore e Presidencës me makinë, ishte i dehur, u përplas, e përplasi makinën aty dhe ushtari, në vetëmbrojtje të detyrës që kishte, qëllon. Nuk u plagos asnjëri atje.

Dhe unë vij, domethënë shkoj në institucion. Presidenti ishte diku, por njerëzit kryesorë të institucionit në atë kohë, ndjesë pastë, zoti Flloko që ishte sekretari i përgjithshëm, zoti Xhaxhiu që ishte shefi i kabinetit, unë që isha këshilltar i Sigurisë Kombëtare, më duket dhe dikush tjetër, dhe komandanti i Sigurisë së Brendshme të Gardës së Presidencës. Vjen edhe një prokuror i rastit, që quhej Braho, por nuk është ky Braho, ishte prokuror i Tiranës, i cili tha se duhet të nxirrte një urdhër ndalimi për ushtarin.

Unë i thashë: ti nuk mund të nxjerrësh urdhër ndalimi për ushtarin. Ti thirre eprorin e ushtarit, pra komandantin e Gardës. Ai të vë në dispozicion çfarë të duhet, ndoshta edhe izolimin e tij brenda Gardës e të tjerë, por ky ka bërë detyrën, sepse kështu e ka detyrën. Po sulmove institucionin e posaçëm, ai do të përgjigjet. Dhe kështu u bë.

Pastaj pati një hetim, gjëja u mbyll, por nuk pati ndalim, pasi ushtari bëri detyrën. Është rasti i 21 janarit. Në rastin e 21 janarit, me ikjen e policisë, sepse ishte në fillim policia që u përball me protestuesit, patëm përplasjen e drejtpërdrejtë të Gardës me protestuesit, e cila shkaktoi katër të vdekur dhe shumë të plagosur.

Po ti po le të përplaset Garda. Garda armë të rënda ka, armë lufte. I përdorin për mbrojtje, por armë lufte janë ato. Edhe MP5-a edhe kallashnikovë. Nuk kanë armë të mbrojtjes personale pistoletë. Ato janë armë lufte.

Dhe në atë kohë u krijua përplasja, pasi prokurorja e përgjithshme e asaj kohe, zonja Rama, nxori urdhër ndalimi për krerët e Gardës. Dhe atëherë pikërisht kjo ishte përplasja. A duhen ndaluar njerëzit të cilët bëjnë punën e tyre? Prandaj kjo çështje sot është në Prokurorinë e Posaçme.

Pra, a duhen ndaluar njerëzit të cilët bëjnë punën e tyre? Në atë kohë, kryeministri i kohës, që sot është kryetar i opozitës, mori mbrojtjen e atyre që kishin zbatuar protokollin.

-Por në rastin konkret të dy kanë qenë duke bërë punën.

Po, këtë prapë po mundohem të shpjegoj. Ata që kishin bërë punën e vet, pra kishin mbrojtur institucionin dhe kishin mbrojtur duke tejkaluar dhe duke bërë një masakër, duke vrarë njerëz. Po ata punën kishin bërë, në punë ishin, se s’kishin shkuar jashtë. Pra, nuk është se ata dolën në rrugë dhe vranë njerëzit në rrugë. Ata aty brenda ishin.

Dhe kjo është pikëpyetja e madhe me ngjarjen e 21 janarit. Vijmë në rastin e sotëm. Garda ka protokollin e sigurisë. Dhe protokolli i sigurisë, edhe po të shkosh ti dhe unë në Presidencë ose në Kryeministri, ai i Gardës thotë: të lutem do kalosh, do kesh kontrollin, do firmosësh te ky dokument, ku do shkosh, sepse kështu e ka protokollin e sigurisë.

Garda, ushtarak, e di si. Domethënë, agjent i BKH-së i armatosur nuk bën përjashtim.

-S’ka rëndësi?

I vetmi subjekt që mund ta zgjidhë këtë çështje është që ai i Byrosë Kombëtare të Hetimit, sepse edhe ata oficerë policie janë, kërkon nga institucioni përgjegjës, o Këshilli i Ministrave, o Presidenca, ose Garda e Republikës, dhe thotë: ne do shkojmë, bëjmë një veprim. Tani, ne i kemi njerëzit tanë të armatosur, sepse edhe ne kështu e kemi punën.

-Ata e thanë, e dikton ligji.

Po pra. Këtyre ua dikton ligji dhe atyre ua dikton ligji. E vetmja gjë që mund të bëhej është që të njoftohej, për shembull, nga Garda komandanti i Gardës, ose një nga zëvendëskomandantët, ose shefi i shtabit, të merrej lista e atyre që do shkonin, t’i shoqëronte dikush, bënin veprimtarinë e tyre, të hynin dhe të dilnin.

Por në kushte normale, nuk ka asnjë repart ushtarak dhe nuk ka asnjë institucion të rëndësisë së veçantë, qoftë kjo Presidenca, Parlamenti, Kryeministria, ku oficeri i Gardës ose nënoficeri i Gardës mund të të lejojë ty, qofsh edhe përfaqësues i një institucioni tjetër, që të hysh, sepse kështu e ka të shkruar.

Ose do t’u ndryshosh detyrën dhe përshkrimin e detyrës që kanë, ose do gjesh një zgjidhje tjetër. Pra, është një nga ato raste tipike ku të dyja palët po bëjnë detyrën.

 

ilir kulla garda bkh

Lini një Përgjigje