
Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe gjyqësore në vend, duke u ndalur tek kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, Kulla theksoi se kemi të bëjmë me një betejë të hapur mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, ku roli i kryeministrit po shfaqet gjithnjë e më aktiv e përplasës.
Sipas Kullës, reagimi i fortë i Edi Ramës ndaj SPAK dhe përmendja e episodeve me agjentët e BKH-së te Kryeministria, janë pjesë e një klime të acaruar, ku kufijtë mes politikës dhe drejtësisë po bëhen gjithnjë e më të paqartë.
-SPAK-ut, qoftë me aksionet, por edhe me kërkesën e fundit për heqjen e imunitetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, reagimin e fortë të kryeministrit Rama për të mos e lëshuar këtë herë, sepse siç thotë ai, nuk është si rastet e tjera. Nga ana tjetër, pak ditë më parë Rama na ka kujtuar edhe një episod që ka ndodhur me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në përplasjen, siç tha ai, me gardën te Kryeministria, e të tjerë e të tjerë. Një betejë publike, transparente deri diku, e hapur dhe e gjithëpranuar mes kryeministrit, ekzekutivit dhe drejtësisë, gjyqësorit në anën tjetër. Çfarë po ndodh?
E bëri një lloj përshkrimi çfarë po ndodh. Çështja është që do vinte kjo ditë. Ne herën e fundit folëm mbi atë fabulën e mjaltit, nëse të kujtohet. Do vinte kjo ditë. Unë mendoj që gjërat precipituan pasi kryeministri u nxitua për betejën e tij në Kushtetuese. Dhe mendoj që do kishte qenë më e mençur nga ana e tij në qoftë se ai do ishte treguar më racional, duke lënë për pak kohë të konsumohej pastaj edhe apeli, edhe Gjykata e Lartë, në qoftë se do duhej, me Prokurorinë përsa i përket masës që u dha ndaj zonjës Balluku, pra pezullimit.
-Po e fitoi te Kushtetuesja ai për momentin.
Nuk ka fituar. Ai thjesht shtyu problemin dhe me atë gjë që bëri, hapi një kapitull tjetër që erdhi me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit. Pse? Sepse mënyra se si këta e kanë përshkruar gjithë gjënë dhe ajo gjë që kam bërë më përpara, dhe në rastin konkret unë citoj historinë e dy njerëzve me imunitet, të cilët kanë pasur dhe kanë probleme me Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatat e posaçme: deputetin Sali Ram Berisha dhe deputetin Arben Ahmetaj, i cili ka qenë dhe paraardhësi në detyrë i zonjës Balluku. Pra, në një lloj forme, prokuroria zonjës Balluku i kishte dhënë një zbutje në krahasim me të tjerët, ndoshta pse është zonjë. Pra, i kishte dhënë vetëm masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullim nga detyra. Ndërkohë që në rastin e zotit Ahmetaj kërkoi arrestin direkt në parlament dhe iu hoq atëherë, nëse të kujtohet, imuniteti, gjë që e bëri Ahmetajn të largohej. Dhe në rastin e zotit Berisha gjithashtu u hoq imuniteti pasi zoti Berisha nuk pranoi të zbatonte atë kërkesën e parë të Prokurorisë së Posaçme. Në të dyja këto raste, parlamenti i ka hapur rrugën procedimit të njerëzve me imunitet.
Faktor tashmë nuk është vetëm zonja Balluku e cila ka një betejë personale bashkë me ata të hetuarit e tjerë apo të akuzuarit e tjerë, por është edhe qeveria e cila ka filluar një betejë juridike në kushtetuese me sistemin e drejtësisë.
Lini një Përgjigje