
Vetë deputetët kanë nxjerr makinat e tyre luksoze për të bllokuar rrugën...
Opozita ka futur në kaos qarkullimin rrugor në vend. Sikundër ishte paralajmëruar, nyjet kryesore të lëvizjes në akset kryesore të vendit janë bllokuar, në kuadër të asaj që opozita e cilëson si mosbindje civile.
Më konkretisht janë bllokuar akset: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

Për këtë aksion janë angazhuar vetë deputetët e PD, të cilët kanë shkuar në zonat që mbulojnë secili dhe janë marrë me organizmin. Madje vetë deputetët kanë nxjerrë makinat e tyre luksoze për të bllokuar rrugën, pasi vetë policia një ditë më parë paralajmëroi procedim penal për këdo që bllokon rrugët.
Ndërkohë janë marrë masa nga efektivët. Në të gjitha vendet kudo të bëhet bllokimi janë dislokuar forca të shumta policie, përfshirë forcat speciale dhe autobotet e ujit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka zbritur në terren për të vëzhguar nga afër protestën e opozitës e cila është shpërndarë në disa qytete.

Nga rrethrrotullimi i Shkozetit, deputeti Edi Paloka u shpreh se kjo është një protestë ku qeveria dhe mazhoranca do ta marrin mesazhin e qartë.
“Këtu nuk bëhet fjalë me jetë normale politike dhe aksioni do të vazhdojë i ndërthurur me aksionin si në parlament ashtu dhe në terren”, tha ai.
Deputeti Paloka i bëri thirrje policisë të mos provokojë, pasi qytetarët tashmë janë në mosbindje civile dhe nuk ka asnjë narko-polici që i shërben narko-regjimit që mund ta stepë opozitën.

Deputeti i PD-së Dashnor Sula foli nga rrethrrotullim i Rrogozhinës aty ku PD ka bllokuar një nga akset e vendit në protestën e sotme. Sula deklaroi për gazetarët kjo protestë është një fillim dhe do pasohet nga të tjerat.
“Nuk është një dëshirë e qytetarëve , por detyrim i qytetarëve se kjo mazhorancë dhe kryeministri e ka çuar punën në këtë derexhe ku qytetarët duhet të protestojnë me të gjithë format. Është një fillim, dhe në javët në vijim reagimi do jetë edhe më i fortë. Korrupsioni është kthyer në sistem, krimi i organizuar janë në vendimmarrje politike, qendrore dhe vendore në bashkitë.

Qytetarët e thjeshtë që largohen nga të drejtat e tyre, mjafton të shikoni një krahasim të thjeshtë me republikën e Kosovës, 20% deklaroi rritjen e pensioneve deklaroi qeveria, 4% në Shqipëri. Të bësh llogari të çmimeve, dhe inflacionit e dinë sa të larta janë. Nëse preket vota, cenohet vota në demokraci gjëja e parë është vota. Protesta do vazhdojë sipas njoftimit, për 3 orë deri në orën 8. Ambulanca apo zjarrfikësit do kalojnë as që diskutohet. Deri tani nuk kemi reagim nga policia”, tha ai.
Lini një Përgjigje