TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Tetor 2024, 14:20

SPAK sekuestron apartamentin e Ilir Beqajt në Vlorë

Shkruar nga Pamfleti

SPAK sekuestron apartamentin e Ilir Beqajt në Vlorë

Apartamenti i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në Vlorë është sekuestruar nga GJKKO, me urdhër të SPAK.

GJKKO ka sekuestruar një apartament të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt me vendodhje në Lungomare, Vlorë.

Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2 m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7 m2, të ndodhura në zonën e Lungomares, dhe që janë vendosur të gjitha nën sekuestro preventive.

Në Korrik 2024, agjentët e BKH-së kontrolluan këtë pronë të Beqajt në Vlorë, ku përfituan të dhëna të vlefshme për hetimin.

Sipas SPAK, kjo pronë dhe shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të.

"Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.

Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e Ilir Beqajt dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.

Në Shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e Ilir Beqaj) dhe A.B (bashkëshortja e Ilir Beqaj). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se Ilir Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019", njofton SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.

Ish-ministri Ilir Beqaj është i arrestuar për abuzimet me fondet e SASPAC për periudhën kur ka qenë drejtues i Agjencisë së Koordinimit të Fondeve të Huaja.

Bëhet fjalë për abuzimet me të paktën 8 prokurime, mes të cilave një tender për ceremoninë e mbylljes së turizmit të qëndrueshëm, ku fondi i vënë në dispozicion ishte shumë i lartë. Sipas SPAK, kjo festë është zhvilluar në restorantin ku Beqaj dhe gruaja e tij ka pasur 15% të aksioneve, të cilat më pas i ka shitur apo dhuruar.

Hetimi për zbulimin e kësaj skeme nga SPAK nisi paralelisht me dosjen e sterilizimit ku ish-ministri i Shëndetësisë është gjithashtu në akuzë për shpërdorim detyre.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal me nr. 190, të vitit 2023.

Nga tërësia e veprimeve proceduriale të kryera deri në këtë fazë të hetimeve paraprake për llogari të këtij procedimi penal, është identifikuar një pasuri e paluajtshme e llojit apartament banimi me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B. Me vendim gjykate është lejuar kontrolli i kësaj pasurie në muajin korrik të vitit 2024, nga i cili janë përftuar të dhëna me interes për hetimin.

Kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim I.B apo personat e lidhur me të.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë:

Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.
Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.
Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.
Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.

Bazuar në faktet e mësipërme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” ndaj pasurisë së mësipërme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 539, datë 20.09.2024, ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

Lini një Përgjigje