Tjetër emër i ngelur në veting i shpëton mbylljes në qeli...
Teksa Ervin Salinaji shkoi në burg për kallëzim të rremë, ndonëse nuk bëri fare kallëzim, ish-gjyqtarët që u larguan nga sistemi për fshehje pasurie nuk do të bëjnë asnjë ditë pune.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u dënua me 6 muaj burg, por që ju kovertua në një vit shërbim prove. I vetmi dëm ndaj tij ishte se ju sekuestrua një apartament, por ai nuk hyri asnjë ditë në qeli.
Ndërkohë të njëjtën rrugë ka ndjekur drejtësia edhe me kolegun e Dedjes. Sot u dha vendimi për Fatos Lulon. Ai u dënua me 9 muaj burg për fshehje pasurie, por që ju konvertua në 80 orë pune në shërbim të komunitetit. Pra as për të nuk do të ketë mbyllje në qeli.
Sipas SPAK, Lulo ka bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyrë 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit.
Gjyqtari Kushtetues u shkarkua nga shkalla e parë e vetingut më 23 mars 2018, vendim i lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Atij i është sekuestruar një dyqan me sipërfaqe 172 m2 në Tiranë.
Ish-gjyqtari ka deklaruar se dyqanin në Rrugën e Durrësit në Tiranë, me vlerë 120 mijë euro, ia ka bërë dhuratë motra. Kjo e fundit, sipas tij, i ka dhuruar edhe 100 mijë euro, ndërsa ka marrë hua edhe 480 mijë euro. Por, komisionet e Vetingut kanë konstatuar se motra e Fatos Lulos nuk ka pasur të ardhura të ligjshme financiare për të blerë dhe më pas dhuruar dyqanin me vlerë 120 mijë euro.
Lulo bëhet i dyti gjyqtar i ngelur në veting që dënohet nga Gjykata e Posaçme. /Pamfleti
Lini një Përgjigje