TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Gusht 2024, 10:50

Pas alarmit për mbetjet e rrezikshme nga Shqipëria, Tajlanda ndalon dhe kthen mbrapsht dy anije

Shkruar nga Pamfleti

Pas alarmit për mbetjet e rrezikshme nga Shqipëria, Tajlanda ndalon

Tajlanda ka ndaluar dhe ka nisur procedurat për të kthyer mbrapsht dy anijet transportuese të të paktën 100 kontejnerëve me 816 tonë që dyshohen mbetje industriale dhe një pjesë e tyre toksike.

Dy anijet e trustit tregtar ndërkombëtar “Maersk”, konkretisht “Compton” dhe “Candor”, që u raportua nga “Bloomberg” dhe mediat tajlandeze se po transportonin mbetje të rrezikshme furre elektrike shkrirjeje të çelikut (Kadmium dhe Krom) nga Shqipëria në Tajlandë, janë ndaluar nga Rojat Bregdetare dhe Autoritetet Portuale.

Njoftohet se ato do kthehen drejt Europës, por më herët autoritetet tajlandeze dhe “Rrjeti i Baselit”, organizata joqeveritare e specializuar në fushën e mbrojtjes nga mbetjet toksike, thanë se anijet do dërgoheshin drejt vendit të origjinës, në këtë rast Shqipëria, ku dhe rezulton se u ngarkuan më 4 korrik në Portin e Durrësit, ose Italia, ku u bë një ndalesë tjetër më pas dhe u ndanë ngarkesat.

Lajmin e publikoi sot (14 Gusht), media tajlandeze “Bangkok Post”, që iu referua autoriteteve zyrtare.

Zëvendësministri i Transportit të Tajlandës, Manaporn Charoensri, tha të mërkurën (14 Gusht), se “vendndodhja e fundit e konfirmuar e anijes me kontejnerë Maersk Candor ishte pranë Afrikës së Jugut të premten e kaluar”. Ajo ishte planifikuar të mbërrinte në Singapor më 24 gusht, sipas tij.

Anija e dytë, Maersk Campton, ishte planifikuar të arrinte në Singapor të enjten (nesër).

Dy anijet u raportua se mbanin rreth 100 kontejnerë me pluhur furre me hark elektrik të destinuar për Portin Laem Chabang, në provincën Chon Buri të Tajlandës, teksa do bënin ndalesa në Singapor dhe Malajzi, por jo në Cape Town të Afrikës, pasi nuk ishin autorizuar për një të tillë, sipas vetë deklaratës së kompanisë “Maersk”. Një prej tyre fiku edhe sinjalin GPS kur iu afrua shtetit afrikan, më 31 korrik.

Po kjo media specifikon se ngarkesa e dyshuar në 40 kontejnerë në “Maersk Campton” do të kthehet në Itali, referuar edhe faqes së internetit të gjurmimit të ngarkesave detare të “MSC Mediterranean Shipping Company”, e cila do të transportojë ngarkesën përsëri në Evropë.

“Maersk po punon me autoritetet e Singaporit dhe linjën e anijeve për të cilën po transporton kontejnerët "për të siguruar që kontejnerët do të riatdhesohen në Shqipëri në mënyrën më të mirë të mundshme", tha zëdhënësja Summer Shi, duke iu referuar pjesës tjetër të ngarkesës.

Ajo përmban në bord të paktën 60 kontejnerë.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual të Tajlandës, Kriengkrai Chaisiriëongsuk, i tha “Thai PBS” se “nuk kishte pasur kontakt me dy anijet dhe asnjë kërkesë për të vizituar Tajlandën”.

Ai theksoi se “Tajlanda nuk do të pranonte dërgesat e mbeturinave”. Më herët ata deklaruan se “Shqipëria nuk kishte njoftuar për dërgesat dhe Tajlanda ka dhënë mospëlqimin për mbërritjen e tyre pas sinjalizimeve”.

Jatuporn Buruspat, sekretar i përhershëm për burimet natyrore dhe mjedisin, tha se “Departamenti i Punëve Industriale e kishte informuar tashmë Singaporin se Tajlanda nuk do të pranonte pluhurin e furrës me hark elektrik”.

Autoritetet kanë punuar për të ndaluar dërgesën që kur Basel Action Network, një grup jofitimprurës me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë toksike, e cila fillimisht javën e kaluar informoi Tajlandën se kontejnerët që ajo besonte se janë të mbushura me pluhur potencialisht të dëmshëm të furrës me hark elektrik dhe që po shkonin drejt saj.

Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

Lini një Përgjigje