Sinoptikania e MeteoAlb, Lajda Porja, ka bërë një pasqyrim të situatës meteorologjike në vend, duke theksuar se kushtet e motit vazhdojnë të jenë tipike për muajin janar, pavarësisht se jemi në shkurt.
Sipas saj, mëngjesi i sotëm është shënuar nga temperatura të ulëta, ku termometri ka zbritur deri në -2 gradë Celsius, ndërsa reshje janë regjistruar në zonat verilindore të vendit.
Në Qarkun e Korçës, temperaturat kanë arritur në -1 gradë.
Porja theksoi se, ndryshe nga vitet e tjera kur shkurti konsiderohet zakonisht si muaj i thatë, këtë vit pritet të jetë më i lagësht dhe me temperatura më të larta se mesatarja sezonale.
Sa i përket ditëve në vijim, ajo bëri me dije se kjo javë do të karakterizohet nga paqëndrueshmëri e motit. Për ditën e sotme parashikohen vetëm intervale me reshje të pakta, ndërsa të martën dhe të mërkurën pritet një ndërprerje e përkohshme e reshjeve.
Në gjysmën e dytë të javës, sipas sinoptikanes, moti do të pësojë ndryshime, me të mërkurën që pritet të shënojë rritje të ndjeshme të temperaturave, duke u konsideruar si një nga ditët më të ngrohta të kësaj jave.
Në mesjavë parametri i erës do të jetë shqetësues.
“Parashikohet problematikë e theksuar të mërkurën. Të enjten dhe të premten do të ketë momente që era do të jetë e fortë, 75–80 km/orë. Në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të sjellë një dallgëzim të lartë”.
Sinoptikanët parashikojnë se deri në mes të muajit shkurt, moti do të jetë i paqëndrueshëm.
Lini një Përgjigje