Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë publikoi mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të bërë gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, ku ai paralajmëroi heqjen e vizave për personat që paraqesin kërcënim për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të SHBA.
“Nëse unë identifikoj një vizitor në vendin tonë, prania e të cilit përbën kërcënim për politikën tonë të jashtme dhe sigurinë kombëtare, ne do t’ia heqim vizën”, deklaroi Rubio.
Gjatë së njëjtës konferencë me Orbanin, ai sqaroi se masa zbatohet për çdo kategori vizitori, student, turist, gazetar apo individ tjetër, nëse përfshihet në aktivitete që bien ndesh me interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Rubio theksoi se në disa raste revokimi i vizës mund të ndodhë edhe përpara se veprimi të kryhet. “Në fakt, nëse do ta dinim se do ta bënit, ndoshta nuk do t’ju kishim dhënë vizën”, tha ai gjatë konferencës për shtyp.
Ambasada e SHBA në Tiranë e shpërndau këtë deklaratë pa shtuar koment zyrtar.
Lini një Përgjigje