TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Korrik 2023, 22:50

Pa nisur i pari, short i dytë për vettingun në polici

Shkruar nga Pamfleti

Pa nisur i pari, short i dytë për vettingun në polici

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore hodhi shortin e dytë për emrat e drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët do t’i nënshtrohen vettingut. Lista e dytë me 36 emra bëhet publike, ende pa nisur procesi për 36 emrat e tjerë të cilët u përcaktuan në shortin e hedhur dy muaj më parë.

Në listën e dytë, emrat që do vlerësohen për pastërtinë e figurës, pasurinë dhe aftësive profesionale janë zëvendës drejtorët për hetimin e krimeve dhe të sigurisë publike, në drejtoritë e qarqeve. Gjithashtu pjesë e listës, janë rektori i akademisë së sigurisë, drejtori i policisë shkencore, apo dhe drejtuesi i Forcës së Posaçme Operacionale.

Edhe pse vettingu konsiderohet si proces që ka nisur, ende nuk janë zhvilluar seancat e para dëgjimore. Trupa prej 12 anëtarësh, është duke u përballur me problemet e vjetra të procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik. Vonesat në kthimin e përgjigjeve nga institucione të tjera kanë ndikuar që seancat të mos kryhen.

Pritet që drejtuesit e të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të vlerësohen pas muajit shtator. Me ndryshimet e reja ligjore, komisioni që do bëjë filtrimin e zyrtarëve, ka dhënë vetëm një vendim. Vehbi Bushati u shkarkua nga detyra si Drejtor i Policisë së Lezhës, për shkak të mos plotësimit në formatin e duhur të formularit të kërkuar nga AMP. Bushati pas shkarkimit si nr.1  i uniformave blu në Lezhë, u emërua menjëherë si këshilltar në kabinetin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. /Klan

Lini një Përgjigje