TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Shkurt 2026, 12:44

“Nuk po më dëgjoni”, Veliaj largohet nga salla e gjyqit; çfarë ndodhi në seancën e GJKKO

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk po më dëgjoni”, Veliaj largohet nga salla e gjyqit;
Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u largua nga salla e gjyqit, atje ku po zhvillohet seanca paraprake, e cila duhet të përcaktojë nëse dosja e SPAK në ngarkim të tij do të kalojë apo jo për gjykim.

“Meqë ju nuk po më dëgjoni, unë po largohem nga salla”, u shpreh Kryebashkiaku, ndërsa më herët kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, me argumentin se nuk i dha të drejtën të mbrohej efektivisht.

GJKKO gjithashtu refuzoi edhe një kërkesë të avokates së caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku, e cila kërkoi shtyrjen e seancës, pasi ajo nuk ishte konsultuar me kryebashkiakun për aktet hetimore.

Gjyqtarja Etleva Deda ka vendosur që seanca të kalojë në konkluzionet përfundimtare, duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes.

Bashkë me Veliajn, SPAK ka marrë të pandehur edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

veliaj seanca gjkko

Lini një Përgjigje