Qytetarët në Vlorë, të cilët janë në ditën e 5-të që vuajnë mungesën e ujit në banesat dhe bizneset e tyre, vijuan paraditen e sotme protestën para Bashkisë, ndërsa kryebashkiakja Brunilda Mersini, ka shmangur çdo kontakt me qytetarët. Duket se shpërfillja që Mersini po u bën qytetarëve ka shtuar tensionet, aq më tepër kur ata pohojnë se prej 3 ditësh dëgjojnë gënjeshtra se defekti po rregullohet.
Një ditë më parë, qytetarë me bidona në duar, mësynë në sallën e teatrit të qytetit, atje ku Bashkia e Vlorës kishte organizuar një mbrëmje gala për festat e fundvitit, ndërsa qyteti vuan mungesën e ujit. Policia nuk ishte në gjendje të ndalte dhjetra qytetarë të revoltuar, ndërsa Mersini sot foli për një fatkeqësi natyrore që ka shkaktuar defektin.
Në anën tjetër qytetarët ndodhen në rrugë, të revoltuar, ndërsa Policia ka nisur negociatat që ata të lirojnë rrugët e sheshet.
Shpëtim Hasanaliaj, nëndrejtor i Policisë së Vlorës, u ka kërkuar banorëve të lirojnë rrugën, kërkesë që nuk është pranuar prej tyre.
“Ne nuk ikim nga sheshi nëse nuk vjen kryetarja e Bashkisë. Kemi kaq ditë me gënjeshtra! Ku janë deputetët! Duam ujë! Kujt ti kërkojmë llogari Balluku është nën hetim si hajdute me çizme për vete”, ishin disa nga thirrjet e tyre.
Lini një Përgjigje