
Athina ka rinisur sulmet ndaj drejtësisë shqiptare pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta lënë në burg Fredi Belerin. Fituesi i zgjedhjeve në Himarë u transferua në Tiranë dhe Greqia lëvizi të gjithë gurët që ai të dilte i lirë, por Gjykata e Posaçme e la atë në qeli.
Kjo ka tërbuar grekët, pasi Ministria e Jashtme ka reaguar me një deklaratë. Sipas saj, lënia e tij në burg është ofendim për shtetin e të drejtës.
“Zgjatja e paraburgimit të Freddy Beleris, tashmë i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Chimarra, ofendon ndjenjën e drejtësisë të publikut dhe perceptimin evropian të shtetit të së drejtës”, shkruan ministria e Jashtme greke.
Arrestimi i Belerit u bë nga prokuroria e Vlorës, por dosja u transferua tek SPAK, duke qenë se Prokuroria e Posaçme i ka kompetencë krimet zgjedhore. Beleri doli sot para Gjykatës së Posaçme për një masë të re sigurie dhe gjykata nuk është tundur, por e ka lënë atë në burg, ndonëse Athina kërcënon përditë. Po ashtu në burg u la dhe Pandeli Kokaveshi, bashkëpunëtori i Belerit në blerjen e votave.
Më 8 maj 2023, 6 ditë para zgjedhjeve, policia e Vlorës dërgoi në prokurori dosjen me informacione se disa shtetas në Himarë përfshirë Fredi Belerin dhe 6 të tjerë merreshin me shitblerje votash. Shumat që ofroheshin për votën e qytetarëve sipas policisë, ishin nga 50 në 200 euro, bashkë me premtimin për tu përfshirë në skemat e përfitimit të shtetësisë greke dhe pensionit në shtetin grek.
Në dosje thuhet se në Prokurorinë e Vlorës është paraqitur banori i Himarës me iniciale A.R, i cili ka pohuar se nga Fredi Beleri, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” si dhe persona të tjerë të shtabit elektoral, i ishin ofruar shuma monetare për blerjen e votave. Shtetasi A.R ka deklaruar se ishte i gatshëm të kryente veprime simuluese dhe atë ditë ka lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit me prokurorinë. Atë ditë ai, është takuar në zonën e Potamit në Himarë me Fredi Belerin, ku kanë rënë dakord që A.R të mblidhte emrat e personave që do të votonin pro dhe listën t`ia dorëzonte kandidatit të siglës “Bashkë Fitojmë”.
Lini një Përgjigje