Tragjedia që i mori jetën dy fëmijëve në Durrës nxori në pah edhe njëherë hendekun mes realitetit në terren dhe reagimeve “standarde” të politikës shqiptare, të kufizuara kryesisht në postime në rrjetet sociale.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, e cilësoi ngjarjen si një “ditë zie” për qytetin dhe ndau dhimbjen me familjarët, por reagimi i saj mbeti në kufijtë e një mesazhi emocional online, pa asnjë referencë konkrete për përgjegjësi institucionale apo masa urgjente:
“Humbja e jetës së dy engjëjve sot është kthyer në ditë zie për gjithë Durrësin. Si nënë, ndaj dhimbjen e jashtëzakonshme me familjarët e fëmijëve dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Lutemi së bashku për djalin që ndodhet në Spitalin e Traumës, që të kalojë këtë moment të vështirë dhe të rikthehet sa më shpejt pranë familjes së tij.
Ky aksident i rëndë duhet të shërbejë si thirrje për reflektim të thellë, jo vetëm për institucionet, por për të gjithë ne si individë, prindër, qytetarë dhe shoqëri.
Qofshin të parajsës.”
Një “reflektim i thellë” që në praktikë përkthehet sërish në asgjë konkrete për sigurinë rrugore në lagjet e qytetit, ku fëmijët vazhdojnë të luajnë mes rrugëve pa asnjë mbrojtje reale.
Në të njëjtën linjë ishte edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili nga Erevan i Armenisë, ku ndodhej për një takim ndërkombëtar, u mjaftua me një mesazh ngushëllimi në rrjetin X:
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital.”
Asnjë fjalë për përgjegjësit konkretë, për kontrollin e sigurisë në rrugët e brendshme të qyteteve apo për masat që duhet të ishin marrë dje, jo pas tragjedisë.
Ndërkohë, faktet janë kokëforta.
Aksidenti ndodhi në një rrugë dytësore brenda lagjes nr. 15, ku fëmijët po luanin anës rrugës. Pamjet tregojnë një drejtues mjetit Nikoll Radaçi humbi kontrollin dhe përplas të miturit, duke u ndalur vetëm pasi godet një makinë të parkuar. Një skenar që përsëritet rëndom në qytetet shqiptare, ku mungesa e kontrollit, sinjalistikës dhe masave mbrojtëse është kronike.
Radaçi njihej si person problematik në zonë, për të cilin fqinjët thonë se kryente manovra të rrezikshme me makinë dhe konsumonte alkool.
Dy fëmijë kanë humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, por përgjigjja e shtetit reduktohet në statuse, lutje dhe fjalë të mëdha për “reflektim”.
Sepse në Shqipëri, tragjeditë shpesh mbyllen me një postim jo me përgjegjësi.
Lini një Përgjigje