TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Prill 2026, 20:48

Nga Tirana në Kukës, Dibër e Fier, Skënder Hita “furtunë” në radhët e policisë; emrat që lëvizin

Shkruar nga Pamfleti
Nga Tirana në Kukës, Dibër e Fier, Skënder Hita
Besfort Lamallati & Skënder Hita

Skënder Hita firmos ndryshime në strukturat kyçe, preken drejtues të rëndësishëm dhe pozicione strategjike...

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka nisur lëvizjet në strukturat drejtuese, duke sinjalizuar një fazë të re riorganizimi në radhët e uniformave blu.

Vendimet e fundit kanë prekur disa nga pozicionet kyçe në drejtoritë vendore, kryesisht në Tiranë, por edhe në qarqe të tjera. Burime bëjnë me dije se ndryshimet synojnë rritjen e efikasitetit dhe rifreskimin e strukturave drejtuese.

Një nga lëvizjet më të rëndësishme është ajo e Besmir Dervishit, i cili largohet nga detyra e zëvendësdrejtorit në Policinë e Tiranës dhe emërohet shef i Krimeve në Kukës. Vendin e tij në kryeqytet e merr Oliger Torba, i cili transferohet nga posti i zëvendësdrejtorit në Fier.

Ndërkohë, në nivel qendror, Hita ka besuar drejtimin e Drejtorisë Operacionale Alban Dautajt, një emër me eksperiencë në fushën e sigurisë, i cili më parë drejtonte strukturën e Antiterrorit. Ky i fundit zëvendëson Melsi Koçin, për largimin e të cilit nuk janë dhënë shpjegime zyrtare.

Në vijim të riorganizimit, Ermal Kënaçi është larguar nga drejtimi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe është transferuar në Kukës, ndërsa Gent Ndoj, ish-drejtor për Hetimin e Krimit Financiar, është dërguar në Dibër.

Ndryshime janë bërë edhe në strukturat e sigurisë kombëtare. Në krye të Antiterrorit është emëruar Edmond Sula, duke zëvendësuar Dautajn, ndërsa në Tiranë është lëvizur edhe struktura e trafikut. Komandanti i trafikut, Joan Trungu, është transferuar në krye të forcës speciale “Shigjetat”.

Këto lëvizje vijnë vetëm pak ditë pasi drejtori Hita largoi nga detyra edhe shefin e Rrugores në Tiranë, Neritan Buzin, i cili është transferuar në Pukë, pa u bërë ende publike arsyet zyrtare.

Valë transferimesh dhe emërimesh të tilla interpretohen si sinjali i parë i drejtuesit të ri për të vendosur kontroll dhe për të riformatuar zinxhirin komandues në Policinë e Shtetit, ndërsa pritet që ndryshimet të vijojnë edhe në nivele të tjera. /Pamfleti

hita polici

Lini një Përgjigje