Lezha dhe Shkodra regjistrojnë sasinë më të madhe të reshjeve në orët e fundit, ndërsa Durrësi është përmbytur...
Moti i keq ka zënë të papërgatitura një pjesë të konsiderueshme të strukturave të bashkive dhe vetë Qeverinë. Edhe pse prej ditësh ishte paralajmëruar se vendi do të përfshihej nga reshje intensive, veçanërisht në disa qytete kryesore, duket se paralajmërimet nuk janë marrë me seriozitet.
Ministri i Mbrojtjes ka thirrur Komitetin e Emergjencave Civile në një mbledhje të posaçme, për të bërë një vlerësim të situatës dhe për të përgatitur reagimin në orët në vijim.
Në shumë zona të vendit, rrugët janë kthyer në përrenj, ndërsa banesa janë përmbytur. Në Durrës është pezulluar mësimi për shkak të gjendjes së rënduar, ndërsa qyteti bregdetar i ngjan Shkodrës së dikurshme – që përmbytej sa herë ka reshje intensive dhe shkarkime nga hidrocentralet mbi Drin.
Në disa akse rrugore janë raportuar rrëshqitje dherash dhe gurësh, ndërsa prania e ujit ka bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve. Policia e Shtetit njoftoi për devijim trafiku në segmentin Tiranë–Durrës për shkak të përmbytjeve.
Në qarkun e Gjirokastrës po regjistrohen reshje të dendura dhe erëra të forta. Probleme janë evidentuar në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku ka rënie inertesh dhe qarkullimi bëhet vetëm me një korsi.
Në Vlorë, reshjet janë me intensitet të ulët, por ka pasur ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në bashkinë Finiq dhe disa zona periferike. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe sistemet hidrike janë në funksion të rregullt.
Në Kukës, reshjet me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e qarkut, por akset nacionale janë aktualisht të qarkullueshme.

Durrësi
Edhe pse sipas të dhënave zyrtare Durrësi nuk ka patur nivelin më të lartë të reshjeve, situata në terren është ndër më të rëndat. Qyteti dhe zonat përreth kanë përjetuar përmbytje të rënda, ndërprerje të energjisë dhe vështirësi në funksionimin e bizneseve dhe institucioneve.
Janë raportuar rreth 10 familje të evakuuara, kryesisht në zonat e Nish Tullës dhe Kavaleshencës. Prefektura e Durrësit u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Lezha
Edhe në qarkun e Lezhës situata është përkeqësuar. Mësimi është pezulluar në dy shkolla, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, rreth 20% e territorit të Bashkisë Lezhë është nën ujë.
Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, deklaroi se lumenjtë janë fryrë nga prurjet e larta dhe ka prezencë uji në toka bujqësore, por deri më tani nuk raportohet përmbytje të banesave.

Shkodra
Në qarkun e Shkodrës janë evakuuar 15 familje në Malësinë e Madhe për shkak të përmbytjeve. Hidrovoret po furnizohen normalisht me energji elektrike. Ndërkohë, për shkak të rritjes së prurjeve në Drin, kanë nisur shkarkime të kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një prurje aktuale prej 700 m³/sek.
Komisioni i Emergjencave Civile është në kontakt të vazhdueshëm me KESH-in për monitorimin e situatës, dhe deri tani nuk raportohen probleme serioze në argjinatura apo kanale kulluese. Megjithatë, lumi Gjadër ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në lagjen “Kapedani”.
Fshati Flakë vijon të jetë i izoluar për shkak të përmbytjeve nga përroi i zonës. Probleme me furnizimin me energji elektrike janë shënuar në zonat Kelmend dhe Shkrel në Malësi të Madhe.
Apeli nga Policia
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar, duke bërë apel për kujdes maksimal në rrugë për shkak të reshjeve intensive që kanë vështirësuar qarkullimin në disa segmente.
Janë bërë devijime për automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, rekomandohet përdorimi i rrugës së Plepave për në Ndroq dhe më pas Rruga Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë.
Në Durrës, kalimi rekomandohet të bëhet nga rruga e Universitetit drejt Spitallës, për të shmangur zonën e përmbytur pranë karburantit në hyrje të qytetit.
Policia Rrugore dhe patrullat janë në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të ndihmuar qytetarët. Apelohet që të shmangen lëvizjet e panevojshme dhe të ndiqen me përpikëri udhëzimet e forcave të rendit. /Pamfleti/
MIA eshte agjensia qeveritare e mediave dhe ne shumicen e rasteve genjejne. Situata eshte shume me e rende!