Televizioni gjerman “MDR” i ka kushtuar një artikull situatës në vendin tonë. Një gazetare e televizionit ka ardhur në Tiranë, duke u fokusuar te lufta ndaj korrupsionit. Në artikullin që mund të gjeni të plotë më poshtë, theksi vihet te pastrimi i parave përmes kullave, operacionet e SPAK dhe ndikimi politik te drejtësia.
Me synimin për t'u anëtarësuar në BE, Shqipëria i ka shpallur luftë korrupsionit. Brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe, vendi e reformoi të gjithë sistemin e tij të drejtësisë. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar janë shkarkuar, por disa politikanë të qeverisë duket se mbeten të paprekur.
Dhjetra kulla po “mbijnë” në kryeqytetin shqiptar, duke sjellë shumë pluhur dhe zhurmë. Projektet në shkallë të gjerë në partneritet publik-privat po bëjnë që qyteti të rritet në mënyrë të pashmangshme. Dhjetë ndërtesa të larta janë planifikuar ose janë në ndërtim e sipër vetëm në afërsi të sheshit kryesor. Aktiviteti i vrullshëm i ndërtimit sugjeron një bum ekonomik, por ka edhe një arsye tjetër: ndërtimi është një mjet popullor i pastrimit të parave në Shqipëri.

Fakti që jo gjithçka po shkon mirë në zhvillimin urban shihet tashmë në çmimet e pasurive të paluajtshme. Pavarësisht ofertës së tepërt, çmimet vazhdojnë të rriten. Një metër katror në kryeqytet tani kushton mbi 1500 euro - një shumë befasuese për një vend ku paga mesatare mujore është ekuivalente me 500 euro. Sipas raportimeve të mediave lokale, të paktën 40,000 apartamente thuhet se janë bosh. Me sa duket, shumë projekte të shtrenjta ndërtimi përdoren për të pastruar para - për shembull, duke shlyer kreditë e ndërtimit me para të zeza. Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI TOC) vlerëson se më shumë se 1.2 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri midis viteve 2016 dhe 2018.
Korrupsioni pothuajse nuk është ulur prej vitesh
“Korrupsioni si akt është i vështirë për t'u identifikuar sepse ndodh në fshehtësi”, shpjegon eksperti antikorrupsion Arjan Dyrmishi.
Në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International, Shqipëria ka arritur vetëm 37 nga 100 pikët e mundshme dhe për këtë arsye është në vendin e 98-të nga 180 vende të renditura- pak më poshtë mesatares në një krahasim global. Në të njëjtin nivel me Bjellorusinë dhe Argjentinën dhe, mbi të gjitha, e pandryshuar për disa vite.
Shumë gjyqtarë dhe prokurorë u pushuan nga puna
Vendi po bën përpjekje të mëdha për të luftuar korrupsionin. Kuvendi i Shqipërisë miratoi një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi në korrik 2016. Që atëherë, janë krijuar institucione të reja kundër korrupsionit dhe sistemi i zbatimit të ligjit është decentralizuar. Zbatimi i suksesshëm i reformës ishte një nga kriteret kryesore për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE.
Thelbi i reformës është “vettingu” – kontrollimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve për përshtatshmërinë profesionale, rrethanat financiare dhe lidhjet e mundshme me krimin e organizuar. Çdo magjistrat kontrollohet dhe duhet t'u përgjigjet pyetjeve të një komisioni. Kushdo që nuk mund të provojë burimin e pronave apo si e ka blerë makinën e tij, do të shkakrohet.
Aq shumë gjyqtarë janë shkarkuar, saqë dy gjykatat më të larta të vendit nuk kishin më kuorum. Me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së, u ngrit një Prokurori Speciale për të luftuar korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, shkurt SPAK.
Hetime për korrupsion edhe ndaj politikanëve
Që kur autoritetet filluan hetimet e tyre, politikanët janë vënë vazhdimisht në shënjestër të prokurorëve. Një prej tyre është Sali Berisha. Kreu i opozitës ndodhet në arrest shtëpie që prej janarit për shkak se SPAK e akuzoi për korrupsion. Më shumë se 15 vjet më parë, si kryeministër i asaj kohe, thuhet se ka privatizuar një kompleks shtetëror sportiv për interes të dhëndrit të tij. Sot ai mohon çdo shkelje dhe akuzon kryeministrin Edi Rama se ka nisur hetimet për arsye politike.

SPAK po merr masa edhe kundër politikanëve të rangut të lartë në partinë në pushtet. Tashmë janë arrestuar disa ministra. Një urdhër arresti ka edhe për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Thuhet se ai ka përvetësuar disa milionë euro që në fakt ishin të destinuara për impiantet e djegies së mbetjeve. I akuzuari është arratisur.
Disa politikanë të arrestuar dhe dëmi ekonomik që shkon në miliona euro, sugjeron se këtu ka një problem strukturor. Megjithatë, udhëheqja e qeverisë pretendon se këto janë “raste të izoluara”. Shumë ekspertë janë të kujdesshëm në komentimin e rasteve politike. Dyrmishi i drejtohet edhe një shembulli pa emër: "Së fundmi SPAK-u i konfiskoi tokën dhe pasuritë e paluajtshme një ish-shefi policie me vlerë një milion euro. Si mundet dikush i vetëm të përvetësojë shuma të tilla pa e vënë re asnjë institucion? Kjo është e pamundur!"
Popullsia e Shqipërisë mbetet skeptike
Një grua shijon diellin e mesditës në një stol parku në qendër të Tiranës. 50-vjeçarja Alketa Farasholli shprehet me maturi optimiste: “Mendoj se qeveria po bën një punë të mirë, kur shkojmë sot në zyrë ose te doktori punonjësit nuk thonë më direkt se duan lekë, ndryshimi po vjen! Ndoshta jo në thellësi, por të paktën në sipërfaqe".
Eksperti Dyrmishi shprehet kështu: “Korrupsioni do të luftohet vetëm në atë masë që të mos rrezikojë elitën politike në pushtet”. Me gjithë përpjekjet e tij për të qenë objektiv, në fjalët e tij ka një shenjë keqardhjeje. Pesimizmi është i përhapur. Sipas një sondazhi të vitit 2022, shumica e popullsisë shqiptare beson se qeveria nuk po e merr seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe gjithashtu se korrupsioni është rritur në fakt vitet e fundit.
Popullata nuk vuri re asgjë për kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve? “Popullsia ka përjetuar që stafi është zëvendësuar kur ka ndryshuar qeveria – por korrupsioni ka mbetur”, thotë Dyrmishi. Në çdo rast, zyrtarët e shkarkuar të drejtësisë dhe politikanët e arrestuar nuk janë tregues të përshtatshëm për të matur suksesin e luftës kundër korrupsionit. "Suksesi duhet të matet me shumat e kthyera në shoqëri", shton ai.
Dhe ndoshta është ende herët për një vendim përfundimtar, sepse sipas ekspertit: “Sa i përket luftës kundër korrupsionit, aktualisht po shohim vetëm procese, por ende pa rezultate”. /Përshtati “Pamfleti” nga “MDR”
Lini një Përgjigje