TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Prill 2026, 19:35

Nga 10 prilli hyn në fuqi sistemi EES: çfarë duhet të dinë shqiptarët që udhëtojnë në Shengen

Shkruar nga Pamfleti
Nga 10 prilli hyn në fuqi sistemi EES: çfarë duhet të
Foto ilustruese

Duke nisur nga data 10 prill 2026, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Shengen do të përballen me procedura të reja në kufi, pas hyrjes në funksion të plotë të Sistemit Evropian të Hyrje/Daljes (EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrim elektronik të hyrjeve dhe daljeve.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se sistemi do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, ndërsa në hyrjen e parë pas kësaj date qytetarët do të duhet të regjistrojnë të dhënat e pasaportës, fotografinë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve në pikën kufitare.

Autoritetet paralajmërojnë se refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike do të sjellë refuzimin e hyrjes në territorin Shengen, ndërkohë që në fazën fillestare të zbatimit priten vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore për shkak të procedurave të reja. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të paraqiten më herët për udhëtim dhe të planifikojnë kohë shtesë për kontrollet kufitare.

Ministria thekson se pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike, ndërsa regjistrimi në sistem nuk kërkon aplikim paraprak pasi kryhet në momentin e kalimit të kufirit. Po ashtu, sistemi i ri nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit në zonën Shengen, duke ruajtur kufirin maksimal prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të organizojnë udhëtimet e tyre duke marrë parasysh kohën shtesë që mund të kërkohet gjatë kontrolleve kufitare, ndërsa zbatimi i plotë i EES konsiderohet si një hap drejt rritjes së sigurisë dhe modernizimit të kontrollit në kufijtë e Bashkimit Evropian.

pasaporta shengen

Lini një Përgjigje