
Bashkimi Europian duket se po ndryshon kurs duke vendosur në qendër të vëmendjes tashmë partitë e reja. E lodhur me dy partitë kryesore në vend të mbetura ende pengje të kastës së vjetër politike, BE-ja po shikon për opsione të reja për t’i mbështetur dhe faktorizuar ato.
Takimi i ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, me Adriatik Lapajn të “Shqipëria Bëhet” dhe Arlind Qorrin të “Lëvizja Bashkë”, vendos në fokus aktorë jashtë dy partive kryesore. Përfshirja e tyre në agjendën e përfaqësuesve të BE-së krijon një precedent të ri institucional.
Takimi i Gonzatos me dy liderët e partive të reja vendos në diskutim balancat ekzistuese dhe hap një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me forca që deri tani nuk kanë pasur mbështetje të dukshme ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, sinjali i BE-së nuk lidhet vetëm me emra konkretë, por me një orientim të ri: legjitimimin e alternativave jashtë binomit tradicional politik dhe presionin për rishikim të rregullave të lojës zgjedhore.
“Biseda të vlefshme sot me Adriatik Lapajn e #ShqipëriaBëhet dhe Arlind Qorrin e #LëvizjaBashkë, ku ramë dakord se një demokraci e shëndetshme ndërtohet mbi pluralizmin. Bashkëjetesa e zërave të ndryshëm politikë ndihmon në pasqyrimin e vetë strukturës së shoqërisë, siguron përfaqësim të drejtë dhe rrit besimin e publikut.
Çdo votë e hedhur duhet të ketë të njëjtën peshë, në mënyrë që rezultatet zgjedhore të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve. Prandaj reforma zgjedhore ka rëndësi. Një kuadër zgjedhor i drejtë dhe transparent siguron që përfaqësimi në parlament të pasqyrojë zgjedhjet e votuesve. Ai fuqizon qytetarët, nxit pjesëmarrjen dhe forcon llogaridhënien”, tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Lini një Përgjigje