
Një fushatë mashtrimi online është evidentuar ditët e fundit në Shqipëri, ku qytetarët po bien pre e mesazheve SMS të rreme që synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare.
Mashtrimi realizohet përmes mesazheve që duken sikur vijnë nga institucione si Policia Rrugore apo Posta Shqiptare. Në këto SMS, qytetarët njoftohen për një gjobë të papaguar ose një pako të padorëzuar dhe ftohen të klikojnë në një link.
Ky link i drejton përdoruesit në faqe të rreme që imitojnë faqet zyrtare, ku u kërkohet të plotësojnë të dhënat e kartës bankare, të cilat më pas përfundojnë në duart e mashtruesve.
Specialisti i sigurisë kibernetike, Juled Mardodaj, thekson se kjo është një praktikë e përhapur globalisht:
“Format e phishing me mesazhe janë më të përhapurat edhe në botë, jo vetëm te ne. Qëllimi është marrja e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve. Autorët janë kryesisht të huaj”, tha eksperti për "TCH".
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë hapa për të frenuar këtë fenomen, në bashkëpunim me operatorët telefonikë, bankat dhe institucionet e tjera, duke synuar bllokimin e domeneve mashtruese.
Megjithatë, sipas ekspertëve, mbrojtja kryesore mbetet vetë qytetari. Ata këshillojnë disa rregulla bazë për të shmangur rënien pre e mashtrimit.
“Qytetarët duhet të kenë parasysh disa rregulla bazë: Mos klikoni linke nga SMS apo email të panjohura. Verifikoni gjithmonë adresën e faqes (URL). Institucionet shtetërore nuk kërkojnë pagesa apo të dhëna bankare përmes linkeve në SMS. Mos ndani të dhëna sensitive si numrin e kartës. Në rast se merrni një SMS të tillë, raportojeni rastin tek autoritetet përkatëse”, u shpreh ai.
Sipas specialistëve, edhe një verifikim i thjeshtë para klikimit mund të shmangë humbje financiare dhe ekspozim të të dhënave personale.
Lini një Përgjigje