Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Bllokimi i pasaportës/ Gjykata e Lartë vendos sot për rekursin e Ballukut
Ditën e sotme Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot në 15:00 rekursin e ish-zvkryeministres Belinda Balluku për masën e caktuar ndaj saj “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Për këtë çështje do të jetë gjyqtari Ilir Panda që do të vendosë nëse Ballukut do t’i rikthehet ose jo pasaporta, e cila i është bllokuar që prej 19 nëntorit me vendim të GJKKO-së, kur iu komunikua edhe akuza e shkeljes së barazisë në tenderë.
Balluku është person nën hetim edhe për 7 lotet e Uanzës së Madhe dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë.
Në Gjykatën e Lartë, do të shqyrtohet edhe ankimi i ish-kreut të KESH, Erald Elezi, i cili aktualisht ndodhet në masën arrest shtëpie, i akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë në Tunelin e Lloagarsë dhe Unazën e Madhe.
Ndërkohë, ish-kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli i cili ndodhet në arrest shtëpie dhe i akuzuar vetëm për shkeljet me tenderin e Llogarasë, nuk e ka ankimuar masën e sigurisë.
Ish zëvendëskryeministrja dhe ish ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u mor zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria Speciale me 31 tetor, duke i komunikuar akuzën për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve të tendera publike.
“Masat e sigurisë”/ Gjykata e Lartë vendos sot mbi praktikat
Praktikat e masave të sigurisë do të shqyrtohen sot nga Kolegjet e Bashkuara. Vendimi pritet të jetë përcaktues sa i takon praktikave gjyqësore për masat e sigurisë.
Kolegjet e Bashkuara u vunë në lëvizje nga Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë.
Kjo nismë pritet të ketë rëndësi për praktikën gjyqësore në tërësi, pasi lidhet me mënyrën se si gjykatat arsyetojnë kufizimin e lirisë personale dhe me raportin mes “arrestit në burg” dhe masave të tjera më të lehta të sigurimit.
Nga raportimet, zëvendësprokurori i përgjithshëm, Arqile Koça, ka kërkuar që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura. Kërkesa lidhet me faktin se çështja që ka vënë në lëvizje gjykatën është aktualisht në shqyrtim në një seancë paraprake po në Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Avokati Luan Hazneziri u shpreh se çështja ka interes të lartë publik dhe, për këtë arsye, duhet të jetë e hapur për publikun të paktën në pjesën që lidhet me njëhsimin e praktikës gjyqësore.
Ndërkohë Kolegjet janë tërhequr për të marrë një vendim.
Nga 800–1800 lekë në muaj/ Detajet e bonusit të ri dhe sfida e pensionistëve me çmimet
Skema e re e shpërndarjes se bonusit të pensionistëve po aplikohet që nga muaji janar i këtij viti. Burimet nga Ministria e Ekonomisë pohuan se qeveria po shpërndan një fond total që luhatet midis 8 dhe 9 milionë eurove në muaj në formën e bonuseve direkte.
Sipas rregullave të reja, përfituesit që marrin pension të pjesshëm ose që kanë një nivel të ardhurash deri në 22 mijë lekë në muaj, po përfitojnë një shtesë prej 800 lekësh çdo muaj. Ndërkohë, mbështetja rritet për ata që kanë një pension të plotë, por që gjithsesi mbetet nën kufirin e 40 mijë lekëve merr një bonus më të lartë, i cili arrin deri në 1800 lekë në muaj.
Ky mekanizëm është konceptuar si një formë rishpërndarjeje mujore për të amortizuar efektet e inflacionit, duke u fokusuar kryesisht te pensionet e ulëta dhe ato mesatare që ndodhen poshtë pragut kritik të konsumit.
Kjo nismë synon të lehtësojë koston e jetesës për kategoritë më vulnerabil, duke shpërndarë ndihmën në mënyrë të përshkallëzuar sipas nivelit të të ardhurave mujore që përfitojnë aktualisht të moshuarit.
Interpelanca me ministrin e Bujqësisë/ Erion Braçe shkon në Kuvend me qese me perime
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është paraqitur këtë herë në seancë plenare me qese me perime, në një veprim simbolik për të tërhequr vëmendjen ndaj situatës së bujqësisë në vend.
Me kërkesë të tij, në Kuvend pritet të zhvillohet një interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, ku në fokus do të jenë problematikat e fermerëve, si dhe çështjet që lidhen me prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e qumështit.
Ky zhvillim vjen në një moment kur, sipas vëzhgimeve në treg, çmimet e karburanteve dhe produkteve të shportës janë rritur, në një kontekst të ndikuar edhe nga tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme.
Debati në Kuvend pritet të përqendrohet te mbështetja për fermerët dhe ndikimi i kostove në rritje mbi zinxhirin ushqimor, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë përgjigjet dhe masat konkrete që do të paraqiten nga Ministria e Bujqësisë.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje