Praktikat e masave të sigurisë do të shqyrtohen sot nga Kolegjet e Bashkuara. Vendimi pritet të jetë përcaktues sa i takon praktikave gjyqësore për masat e sigurisë.
Kolegjet e Bashkuara u vunë në lëvizje nga Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë.
Kjo nismë pritet të ketë rëndësi për praktikën gjyqësore në tërësi, pasi lidhet me mënyrën se si gjykatat arsyetojnë kufizimin e lirisë personale dhe me raportin mes “arrestit në burg” dhe masave të tjera më të lehta të sigurimit.
Nga raportimet, zëvendësprokurori i përgjithshëm, Arqile Koça, ka kërkuar që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura. Kërkesa lidhet me faktin se çështja që ka vënë në lëvizje gjykatën është aktualisht në shqyrtim në një seancë paraprake po në Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Avokati Luan Hazneziri u shpreh se çështja ka interes të lartë publik dhe, për këtë arsye, duhet të jetë e hapur për publikun të paktën në pjesën që lidhet me njëhsimin e praktikës gjyqësore.
Ndërkohë Kolegjet janë tërhequr për të marrë një vendim.
Nisma e ndërmarrë me një vendim të ndërmjetëm të Sokol Sadushit, kreut të Gjykatës së Lartë, vendos në pikëpyetje masat e sigurimit personal ‘arrest me burg’ që konsideron si më të rëndat që aplikohen nga gjyqësori në vend. Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë duket se i bashkangjitet një debati që ka nisur më herët nga politika lidhur me caktimin e masave të sigurimit personal.
Kanë qenë pikërisht aktorë politikë, përfshi edhe Kryeministrin Edi Rama, që kanë reaguar me forcë dhe me kundërshti, veçanërisht ndaj masave të sigurimit personal që janë kërkuar nga SPAK ndaj disa zyrtarëve. Veçanërisht i ashpër Rama është shfaqur lidhur me masat që SPAK ka kërkuar për personazhe politikë të afërt me të, ndërsa rasti i fundit i përplasjes ishte refuzimi i kërkesës së SPAK për imunitetin e ish-zv.Kryeministres, Belinda Balluku. Më herët, Kryeministri kishte paralajmëruar edhe ndërhyrje në Kodin Penal, por duket se lëvizja e Gjykatës së Lartë, është mekanizmi më i mirë për rishikimin e masave të sigurisë.
Si nisi procedura dhe çfarë synohet?
Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës gjyqësore të njësuar të Kolegjeve të Bashkuara, lidhur me vendimin unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, që ka të bëjë me masat e sigurimit personal në procesin penal. Vendimi i ndërmjetëm është firmosur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, më 9 mars 2026.
Nisma është marrë në kuadër të një çështjeje konkrete penale të regjistruar në Gjykatën e Lartë, që lidhet me shtetasin Begtash Zeneli, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal. Sipas akteve të dosjes, gjatë një kontrolli të ushtruar më 16 tetor 2025 nga Policia e Lezhës në banesën dhe ambientet përreth në përdorim të tij, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 7.350 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa.
Pas arrestimit në flagrancë, prokuroria ka kërkuar vleftësimin si të ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka pranuar kërkesën, ndërsa Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, pas ankimit të mbrojtjes, ka ndryshuar masën në “arrest në shtëpi”. Kundër këtij vendimi, më 12 dhjetor 2025, prokurori ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë.
Sipas vendimit të ndërmjetëm, rekursi i prokurorit ngre tri çështje kryesore.
E para lidhet me pretendimin se Gjykata e Apelit ka zbatuar gabim nenet 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, duke mos bërë një analizë të mjaftueshme të rrethanave konkrete, rrezikshmërisë së veprës dhe personit nën hetim.
E dyta ka të bëjë me qëndrimin se, në rrethanat e çështjes, “arresti në burg” do të duhej të konsiderohej masa e vetme e përshtatshme.
E treta lidhet me pretendimin se një masë më e butë mund të pranohet vetëm nëse i dyshuari ose mbrojtja sjellin prova pozitive që përjashtojnë ose ulin gjendjen e rrezikut.
Gjykata e Lartë vlerëson se këto çështje nuk prekin vetëm rastin konkret, por lidhen drejtpërdrejt me standardet e vendosura në praktikën unifikuese të vitit 2011. Për këtë arsye, është çmuar e nevojshme që Kolegjet e Bashkuara të shqyrtojnë nëse disa formulime të atij vendimi duhet të mbeten në fuqi në të njëjtin kuptim, apo të rishikohen pjesërisht.
Në thelb, vendimi i ndërmjetëm vë në diskutim tre shtylla të rëndësishme të praktikës së deritanishme.
Së pari, qëndrimin sipas të cilit, kur caktohet “arresti në burg”, gjykata nuk ka detyrim të analizojë pse masat e tjera nuk janë të përshtatshme, por mjafton të argumentojë përshtatshmërinë e masës së zgjedhur.
Së dyti, qasjen sipas së cilës rrezikshmëria e lartë e personit mund të nxirret kryesisht nga natyra e veprës penale, rëndësia e saj apo pasojat.
Së treti, standardin sipas të cilit papërshtatshmëria e “arrestit në burg” mund të pranohet vetëm nëse i pandehuri sjell prova pozitive në favor të tij.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata e Lartë thekson se pas vitit 2011 kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme si në legjislacionin procedural penal, ashtu edhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas këtij arsyetimi, ndryshimet e viteve 2017 dhe 2021 në Kodin e Procedurës Penale kanë përforcuar kërkesën për arsyetim të individualizuar dhe të kontrollueshëm të vendimeve mbi kufizimin e lirisë personale, sidomos kur bëhet fjalë për masa shtrënguese si “arresti në burg”.
Vendimi i referohet gjithashtu standardeve të zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjet Hysa, Gëllçi dhe Muçaj kundër Shqipërisë. Sipas këtyre standardeve, dyshimi i arsyeshëm është kusht i domosdoshëm, por jo i vetëm, për paraburgimin; rreziku nuk mund të prezumohet në mënyrë abstrakte; serioziteti i veprës nuk mjafton vetë për të justifikuar burgimin; ndërsa masat alternative duhet të shqyrtohen realisht dhe jo vetëm në mënyrë formale.
Në këtë kuadër, kryetari i Gjykatës së Lartë ka vendosur nisjen e procedurës për ndryshimin e pjesshëm të praktikës së njësuar dhe kalimin e çështjes për shqyrtim para Kolegjeve të Bashkuara. Këtyre të fundit do t’u shtrohen tre pyetje themelore: nëse gjykata duhet të analizojë realisht masat alternative përpara se të caktojë “arrestin në burg”; nëse rrezikshmëria e veçantë mund të nxirret vetëm nga natyra e veprës penale dhe marzhi i dënimit; si dhe kujt i takon barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e kësaj mase.
Lini një Përgjigje