
Pas publikimit në media të skandalit të drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj Rakipit se po përdor pozitën për përfitime private.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, një deklaratë për mediat, tha se në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit, Arben Rakipi në qershor 2020 ka themeluar kompaninë Zyra Ligjore Rakipi & Partners ku zotëron 55% të aksioneve dhe pavarësisht se është zgjedhur drejtor i Shkollës së Magjistraturës, ka ushtruar aktivitetin privat të avokatit.
Garo tha se sipas ligjit për Shkollën e Magjistraturës dhe rregullores së saj, kjo përbën shkelje të hapur dhe vendosje në kushtet e konfliktit të interesit.
“Në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit, Arben Rakipi në qershor 2020 themelon kompaninë Zyra Ligjore Rakipi & Partners. Rakipi zotëron 55% të aksioneve dhe familjarë të tij pjesën që mbetet e ndarë mes të birit dhe 2 ortakëve. Siç rezulton nga dokumentet, Arben Rakipi, edhe pse i komanduar si Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, ka ushtruar aktivitetin privat të avokatit. 3 ditë përpara se të hapej gara për funksionin në fjalë ai themelon një tjetër shoqëri, e regjistruar në QKB në korrik 2020, periudhë kur Arben Rakipi do të aplikonte për tu zgjedhur si Drejtues i Shkollës së Magjistraturës”, tha ajo.
Sipas ligjit për Shkollën e Magjistraturës dhe rregullores së saj, kjo përbën shkelje të hapur dhe vendosje në kushtet e konfliktit të interesit.
Garo tha se Rakipi vijoi i pashqetësuar edhe pas zgjedhjes si Drejtor i Shkollës së Magjistraturës për një mandat 4 vjeçar. Madje ai i shton shkeljet ligjore.
“Pas më shumë se dy muajve nga emërimi, Arben Rakipi vendos t’ia dhurojë aksionet bashkëshortes, Vilma Rakipi. Por kjo nuk është më shumë se një manovër për të shmangur konfliktin e interesit. Ai vetëm sa ndryshon emrin e aksionerit, pasi sipas regjimit bashkëshortor, ai mbetet përfitues me 50% i çdo pasurie të krijuar gjatë martesës. Madje sipas kësaj kontrate Vilma Rakipi nuk do të mundej t’i tjetërsonte aksionet pa miratimin paraprak të Arben Rakipit. Ligji 115/2016 dhe Rregullorja e Institucionit, në nenin 23, parashikon që bashkë me Drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës, edhe familjarët ndalohen të kenë aktivitet fitimprurës. Shkeljet vijojnë, a thua se Arben Rakipi është një nxënës mbetës i Juridikut, dhe jo drejtori i shkollës që duhet të përgatisë elitën e Jurisprudencës shqiptare. Përcaktimet në STATUTIN e kompanisë e theksojnë qartë mënyrën se si bëhet kalimi i kuotave të aksioneve. Sipas nenit 11 të statutit, të firmosur nga Arben Rakipi, përcaktohet se kontrata për transferimin e kuotave te bashkëshortja duhej të ishte e noterizuar sëbashku me vendimin e Asamblesë së Ortakëve”, tha Garo.
Dokumentacioni i dorëzuar pranë QKB, fakton se kontrata dhe vendimi nuk janë noterizuar dhe QKB nuk duhet të bënte kalimin e kuotave pasi kontrata është nul, vijoi ajo.
Garo u shpreh se sipas përcaktimit në STATUT dhe Ligjit “Për Shoqëritë Tregtare”, Arben Rakipi është de facto dhe de jure aksioner i Shoqërisë dhe kontrata nuk ka asnjë vlerë juridike.
Lini një Përgjigje